IA mund të lehtësojë komunikimin, por a po i bën drejtuesit më të dobët?

Në SHBA, 52% e punonjësve përdorin inteligjencën artificiale (IA) në punë, 30% e përdorin shpesh dhe 15% çdo ditë, sipas një raporti të Gallup të cituar nga Forbes.
Për drejtuesit, IA e shkurton në pak sekonda hartimin e një emaili apo të një prezantimi. Mbështetja e tepërt tek ajo, edhe për mesazhet e përditshme, mund t’u kushtojë besueshmërinë.
Në një studim të botuar në International Journal of Business Communication, pjesëmarrësit vunë në dyshim sinqeritetin, vetëbesimin dhe aftësinë e drejtuesve kur këta mbështeteshin shumë tek IA për të shkruar mesazhe rutinë. Forumi Ekonomik Botëror e përshkruan këtë si një “hendek besueshmërie”.
Para se të njoftojë një vendim të rëndësishëm, një drejtues duhet ta ketë të qartë çfarë mendon për vendimin, çfarë mund t’i premtojë ekipit dhe cilat shqetësime punonjësit mund të ngurrojnë t’i shprehin. Edhe një mesazh i shkruar bukur mund t’i lërë pa përgjigje pyetjet që kanë më shumë rëndësi për ekipin.
Kathy Caprino, autore e shkrimit në Forbes, sugjeron që drejtuesit të përcaktojnë vetë çfarë duan të thonë përpara se të përdorin IA-në.
Në një njoftim për riorganizimin e kompanisë, për shembull, drejtuesi duhet të qartësojë çfarë është vendosur, cilat çështje mbeten të hapura dhe çfarë duhet të dijë ekipi.
Më pas mund t’i kërkojë IA-së të vërë në provë supozimet e tij, të gjejë formulime që mund të keqkuptohen dhe të evidentojë pyetje që mund t’u lindin punonjësve në departamente të ndryshme.
Sipas një studimi të raportuar nga MIT Sloan, kur pjesëmarrësve iu kërkua të mendonin pse po ndiqnin një rekomandim të IA-së, ata u mbështetën më rrallë tek ai pa e shqyrtuar dhe arritën rezultate më të sakta, pa shpenzuar ndjeshëm më shumë kohë.
Zëri i një drejtuesi pasqyron përvojën, gjykimin dhe gatishmërinë për të thënë edhe gjëra të vështira. Shembujt e komunikimeve të mëparshme mund ta ndihmojnë IA-në të përshtatë tonin.
Drejtuesit i takon të shohë nëse formulimi i propozuar shpreh atë që mendon dhe atë që është i gatshëm të mbrojë.
Përpjekja për të komunikuar i zhvillon pikërisht këto aftësi. Shpjegimi i një ideje të ndërlikuar e detyron drejtuesin të qartësojë mendimin.
Një bisedë e vështirë e mëson të dëgjojë e të kuptojë reagimet e të tjerëve, ndërsa pranimi i një gabimi kërkon të marrë përgjegjësi.
Sa më shpesh t’ia delegojë IA-së këtë pjesë të punës, aq më pak mundësi ka të ushtrojë gjykimin që do t’i duhet në vendimin e radhës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









