Propofoli, një medikament anestetik i përgjithshëm intravenoz me veprim të fuqishëm dhe të shpejtë, i cili u zbulua në organizmin e këngëtarit të njohur grek Giorgos Mazonakis, dyshohet se është shkaku i vdekjes së tij.
Ky është përfundimi i ekspertizës 30-faqëshe të Laboratorit të Mjekësisë Ligjore dhe Toksikologjisë në Universitetin Aristotel të Selanikut (AUTH), sipas raportimeve nga Protothema.gr.
Mostrat e marra nga trupi i këngëtarit u dërguan në laborator në fillim të muajit tetor.
Profesori Nikolaos Raikos dhe ekipi i tij kryen disa analiza të njëpasnjëshme për të identifikuar dhe përcaktuar në mënyrë sasiore të gjitha substancat e pranishme në organizmin e artistit, i cili humbi jetën në klinikën e rrugës Karneadou, në zonën Kolonaki, gjatë një procedure plazmafereze.
Sipas informacioneve të Protothema.gr, në raportin e detajuar thuhet se propofoli i zbuluar në organizmin e këngëtarit ishte përgjegjës për vdekjen e tij. Përveç kësaj substance, në trupin e tij u identifikuan edhe tetë substanca të tjera, të cilat kanë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes dhe kanë kontribuar në vdekjen e tij.
Një tjetër detaj i rëndësishëm që përmendet në ekspertizë lidhet me momentin e kryerjes së plazmaferezës.
Pasi këngëtarit iu administrua anestezia me propofol, ai pësoi një episod apneje, pra ndërprerje të frymëmarrjes.
Sipas burimeve të medias greke, nëse në klinikë do të kishte pasur mundësi për t’i dhënë oksigjen, këngëtari mund të ishte shpëtuar.Në raport janë përfshirë gjithashtu referenca nga literatura shkencore mbi raste të ngjashme, me qëllim shpjegimin e mënyrës se si propofoli dhe tetë substancat e tjera kanë vepruar, veçmas dhe në kombinim, duke çuar në vdekjen e artistit.
Ekspertiza e Laboratorit të Mjekësisë Ligjore dhe Toksikologjisë, së bashku me rezultatet e Shërbimit të Mjekësisë Ligjore të Athinës, do t’i përcillen prokurorit hetues që po trajton çështjen e vdekjes së këngëtarit.
Nga ana tjetër, eksperti i caktuar nga familja e artistit, George Fitsialos, kishte identifikuar në analizën e tij të gjakut të këngëtarit tetë substanca: olanzapinë, aripiprazol, midazolam, flumazenil, lidokainë, kokainë, benzoilekgoninë dhe propofol.
Kujtojmë se këngëtari i njohur humbi jetën më 9 shtator, në moshën 54-vjeçare, si pasojë e një arresti kardiak gjatë procedurës së plazmaferezës në klinikën e rrugës Karneadou, e administruar nga Ioanna Gaka dhe bashkëshorti i saj, Ilias Theodoropoulos. Të dy janë lënë në paraburgim.
Vdekja e tij u konstatua në spitalin “Elpis”, ku u transportua pasditen e 9 shtatorit. Në ditët që pasuan, u zbuluan një sërë gabimesh dhe pretendimesh për fshehje informacioni nga mjekët e klinikës në Kolonaki.
Protothema.gr kishte publikuar më herët edhe një fotografi-dokument, e cila tregonte se aparatura e përdorur në klinikë kishte nisur të funksiononte në orën 14:14. Rreth gjysmë ore më vonë, në orën 15:15, alarmet e aparaturës së plazmaferezës u aktivizuan dy deri në tri herë, duke sinjalizuar se diçka nuk shkonte me pacientin.
Sipas të njëjtave burime, aparatura ndaloi së funksionuari në intervalin kohor 15:23-15:27, çka, sipas raportimit, tregonte se Giorgos Mazonakis nuk kishte më funksione jetësore. Në atë moment, në klinikë ndodhej edhe mjeku Ilias Theodoropoulos.
Ndërkohë, ambulanca e EKAB-it u thirr për të dhënë ndihmën e parë rreth një orë më vonë. Këngëtari u transportua drejt spitalit “Elpis”, i cili më pas konfirmoi zyrtarisht vdekjen e tij, duke zhytur në zi opinionin publik grek.












