Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Reagimet pas shpalljes së dënimit ndaj Thaçit e të tjerëve në rastin kundër administrimit të drejtësisë

Hashim Thaçi

Gjini: Dënimi shtesë i Thaçit është një tjetër lajm i keq për Kosovën

5 o. më parë / 17 nën 2026 20:38
Ardian Gjini

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, pas mbledhjes së Kryesisë së partisë, ka deklaruar se Kosova po përballet me një varg zhvillimesh negative, duke shprehur shqetësimin për situatën politike, dënimin shtesë të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë dhe gjendjen energjetike në vend, raporton Ekonomia Online.

Gjini ka thënë se në mbledhjen e sotme të Kryesisë është diskutuar për çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimet në Kosovë, duke theksuar se vendi tash e një kohë të gjatë po përballet vetëm me lajme të këqija.

“Fatkeqësisht, tashmë për një kohë të gjatë Kosova po merr vetëm lajme të këqija. Kemi harruar kur e kemi marrë ndonjë lajm të mirë për vendin tonë dhe po besojmë që qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një situatë të tillë”, ka deklaruar Gjini.

Duke komentuar dënimin shtesë të ish-presidentit Hashim Thaçi në Hagë, kreu i Aleancës ka ritheksuar qëndrimin e partisë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.

“Sot e kemi edhe lajmin për dënimin shtesë të ish-presidentit Thaçi në Hagë. Aleanca mbetet pranë qëndrimit të vet të pastër në mbështetje të të gjithë luftëtarëve të lirisë, në theks të luftëtarëve të cilët po gjykohen në Dhomat e Specializuara. Ne e kemi thënë më parë, nuk e kemi votuar ligjin më 2015 dhe mendojmë që vendimi i Kosovës ka qenë dashje apo shtesë, anulimi i ligjit për këtë kohë”, është shprehur ai.

Gjini ka folur edhe për qëndrimin e AAK-së lidhur me amendamentimin e ligjit në Kuvendin e Kosovës, duke thënë se partia e tij e ka mbështetur këtë proces dhe se pret që puna e nisur nga Kuvendi të përfundojë sa më shpejt.

“Shumë keq. Në situatën në të cilën gjendemi, prapë e kemi mbështetur amendamentimin e atij ligji tash në Kuvend dhe kemi menduar që ka qenë hapi në krye të heqja e tij dhe kthimi nga ana e presidentes. Në këto rrethana kërkojmë që sa më shpejt të përfundojë kryepuna të cilën Kuvendi i Kosovës e ka nisur, të cilën qytetarët e Kosovës e kanë kërkuar. Kjo është një lajm i keq”, ka deklaruar Gjini.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga kryetari i AAK-së ka qenë edhe situata me energjinë elektrike në Kosovë. Ai ka rikujtuar se për këtë çështje kishte paralajmëruar qytetarët edhe muaj më parë, duke theksuar se paralajmërimet e tij dhe të kolegëve të partisë kishin nisur që nga muaji korrik.

“Lajm tjetër i keq është situata me energji në Kosovë. Prej këtij vendi, prej kësaj foltoreje, ka disa muaj që prej korrikut që kolegët e mi në Aleancë dhe unë e kemi paralajmëruar popullin e Kosovës”, ka thënë Gjini.

Presidenca: Aktgjykimi i sotëm ndaj Thaçit e të tjerëve ngre shqetësime për respektimin e të drejtave të tyre

7 o. më parë / 17 nën 2026 18:53
Justina Shiroka - Pula

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë, ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, lidhur me akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.

Siç thuhet në reagim, aktgjykimi i sotëm ngre shqetësime sa i përket respektimit të të drejtave të tyre.

“Çdo institucion i Republikës së Kosovë, duke përfshirë edhe Dhomat e Specializuar, duhet të veprojë në pajtim me juridiksionin që ka në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duhet të respektojë të drejtat që i përmban Kapitulli II i Kushtetutës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut që janë të garantuara me Nenin 22 të Kushtetutës. Çdo proces gjyqësor duhet të zhvillohet në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë, duke garantuar të drejtat e të akuzuarve dhe respektimin e procedurave ligjore. Aktgjykimi i sotëm i Dhomave të specializuara ngre shqetësime sa i përket respektimit të të drejtave të palëve”, thuhet në reagimin e presidencës.

Tutje thuhet që Kosova mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë porse “presim qe në këtë frymë do të veprojnë edhe Dhomat e Specializuara dhe çdo proces gjyqësor dhe të drejtat për ankimin të bëhen në frymën e standardeve ndërkombëtare të gjykimit të drejtë”.

“Njëkohësisht, Presidentja thekson se kontributi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në luftën për liri dhe pavarësi, si dhe sakrifica e popullit të Kosovës, janë pjesë e historisë sonë dhe nuk mund të vihen në pikëpyetje nga procese gjyqësore”, përfundohet në reagim.

Alija për dënimet e reja nga Specialja: Kanë mangësi, mund të ndikojnë në të drejtat e të akuzuarve

7 o. më parë / 17 nën 2026 17:57
Amer Alija

Avokati nga Fondi për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, ka vlerësuar se vendimet e fundit të Gjykatës Speciale për dënimin e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve për pengim të administrimit të drejtësisë kanë mangësi procedurale, të cilat, sipas tij, mund të ndikojnë në të drejtat e të akuzuarve.

Ai ka vlerësuar se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave për dënimet në pengimin e administrimit të drejtësisë në Dhomat e Specializuara kanë mangësi në raport me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

“Rregullorja e Procedurës dhe e Provave, në krahasim me Kodin e Procedurës Penale, është më e mangët. Ndoshta për arsye se është përpiluar me nguti, natyrisht që ka mangësi procedurale dhe mangësi që ndikojnë në të drejtat e të akuzuarve gjatë procedurës”, ka deklaruar ai në “60 Minuta” të KTV-së. 

Alija ka ngritur si shqetësim edhe mungesën e një mekanizmi për bashkimin e dënimeve në rastet kur një person dënohet si për krime lufte, ashtu edhe për pengim të administrimit të drejtësisë. Thaçi është dënuar sot me 17 muaj burgim për pengim të administrimit të drejtësisë, ndërsa më 16 shtator ishte dënuar me 25 vjet burgim për krime lufte. 

Sipas tij, në një situatë të tillë, Rregullorja e Procedurës dhe e Provave nuk e parasheh mundësinë e caktimit të një dënimi unik, ndryshe nga Kodi i Procedurës Penale në Kosovë, i cili ua njeh palëve dhe mbrojtjes të drejtën për të kërkuar bashkimin e dënimeve pas dy aktgjykimeve të formës së prerë.

Ai ka thënë se një person nuk duhet ta vuajë një dënim të plotë dhe më pas të vuajë edhe një tjetër, por duhet të ketë një dënim unik për të dy aktgjykimet.

Duke folur për rastin e Thaçit, Alija ka thënë se nëse shkalla e dytë e konfirmon vendimin e shkallës së parë për pengim të administrimit të drejtësisë, atëherë duhet të shqyrtohet edhe çështja e kompensimit për kohën e kaluar në paraburgim.

“Nëse shkalla e dytë e konfirmon vendimin e shkallës së parë, atëherë i bie që Thaçi e ka vuajtur dënimin dhe ka të drejtë në kompensim për ditët apo muajt që ka qëndruar më shumë. Edhe çështja e kompensimit është e mangët”, ka thënë Alija.

Çitaku: Në PDK s’ka njeri që ka qëllim të keq apo agjendë të dytë në raport me Ligjin për Specialen

8 o. më parë / 17 nën 2026 17:26 Nga: Rrezon Gashi
Vlora Çitaku

Photo: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se nuk ka në partinë e saj ndonjë njeri që ka qëllim të keq sa i përket Ligjit për Specialen. 

Çitaku në konferencë për media është pyetur se pse fillimisht PDK-ja ka kërkuar nga presidentja Justina Shiroka Pula ta rikthejë në Kuvend, Ligjin për Specialen, e tash po kërkon sërish të miratohet i njëjti ligj dhe a do të kërkohet përgjegjësi brenda partisë për këtë veprim. 

“Nuk ka pas njeri në PDK, e po dua të besoj as në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e posaçërisht ata që e kanë votuar, që mund të kenë pasur qëllim të keq. Nuk ka në PDK njeri që ka qëllim të keq, apo agjendë të dytë në raport me ligjin”, tha Çitaku. 
 

Çitaku: Do t’i përgjigjemi vendimit të Speciales me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike

9 o. më parë / 17 nën 2026 16:20
Vlora Çitaku

Photo: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, në një konferencë për media e ka quajtur të papranueshëm dhe të turpshëm dënimin me 17 muaj burgim për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në rastin kundër administrimit të drejtësisë. 

“Vendim i turpshëm dhe i papranueshëm. Nuk ka asgjë më shkatërruese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë. Shprehim zhgënjimin dhe shqetësimin tonë të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në procesin për pengimin e drejtësisë”, tha ajo në një konferencë për media, transmeton “EkonomiaOnline”.

Ajo ka theksuar se sipas PDK-së, kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare kanë shtuar dyshimet lidhur me mënyrën e administrimit të drejtësisë nga Gjykata Speciale.

“Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë anuluar edhe më tej pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë së kësaj gjykate. Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde”, potencoi ajo.

Në fund të deklarimit të saj, Çitaku ka bërë të ditur se PDK-ja do t’i përgjigjet këtij vendimi përmes qëndresës, mobilizimit dhe veprimeve politike, juridike e diplomatike.

“Do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton, me qëndresë, me mobilizim dhe me përkushtim të palëkundur, me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike dhe me vendosmëri deri në fund. Lufta jonë për liri ishte e drejtë, UÇK-ja ishte ushtria jonë çlirimtare, sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset asnjëherë”, shtoi Çitaku.

Qeveria pas dënimit të Thaçit dhe të tjerëve: Rezervat ndaj Speciales mbeten të qëndrueshme

10 o. më parë / 17 nën 2026 15:51
Qeveria

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Speciale lidhur me dënimin e Thaçit dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë.

Në komunikatën e tyre dërguar mediave, Qeveria ka thënë se kritikat dhe rezervat që kanë shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë.

“Pavarësia e gjyqësorit dhe respektimi i vendimeve gjyqësore janë parime themelore të sundimit të ligjit. Megjithatë, kjo nuk e përjashton të drejtën dhe përgjegjësinë për të ngritur shqetësime lidhur me funksionimin e institucioneve të drejtësisë. Në këtë kuptim, kritikat dhe rezervat që kemi shprehur vazhdimisht ndaj Dhomave të Specializuara mbeten të qëndrueshme, veçanërisht sa i përket transparencës së procedurave, respektimit të të drejtave të palëve dhe garantimit të standardeve të një gjykimi të drejtë”, thuhet në reagim.

Tutje Qeveria thekson se besimi në drejtësi nuk ndërtohet vetëm mbi vendimet që merren, por edhe mbi mënyrën se si arrihet deri tek ato. 

“Prandaj, angazhimi ynë për sundimin e ligjit dhe insistimi për respektimin e plotë të të drejtave dhe garancive procedurale janë pjesë e të njëjtit qëndrim parimor: drejtësia duhet jo vetëm të vihet në vend, por edhe të jetë e drejtë, transparente dhe e besueshme”, thuhet tutje në reagimin e tyre.

Haziri: Thaçi u dënua me 12 vjet më shumë se Shesheli – drejtësi me standarde të dyfishta

13 o. më parë / 17 nën 2026 12:30
liria ka emer

Photo: Driton Paçarada

Çlirim Haziri nga platforma “Liria ka emër” ka akuzuar Gjykatën Speciale për standarde të dyfishta ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë.

Ai ka thënë se ky aksion nuk është kundër drejtësisë, por ka për qëllim mbrojtjen e saj.

Haziri ka ngritur pyetjen se si është e mundur që krimineli serb, Vojislav Sheshel, të dënohet më pak se Hashim Thaçi.

“Drejtësia nuk mund të jetë selektive dhe as të zbatohet me standarde të ndryshme, varësisht nga historia apo kombësia. Rasti i Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka ngritur shqetësime serioze për respektimin e të drejtave themelore të njeriut”, ka thënë ai.

“Të gjithë ne e njohim kriminelin Vojislav Sheshel, i cili kreu krime të tmerrshme ndaj popullatës civile. Ai u dënua me 10 vjet burgim nga Gjykata e Hagës. Ai pati edhe raste të tjera për pengim të drejtësisë, për të cilat u dënua me 15 muaj burgim, dy vjet më pak se Thaçi, në rastin e dytë me 18 muaj, ndërsa në të tretin me dy vjet”, ka thënë ai, duke shtuar se Thaçi u dënua me 12 vjet më shumë se Shesheli.

Ai ka thënë se nuk po kërkojnë privilegje për askënd, duke shtuar se me të gjitha veprimet, përfshirë edhe melodinë e këngës nacionaliste në hapjen e Forumit për Zgjerim në Bruksel, po krijohet perceptim i rrezikshëm për Kosovën.

“Ne kërkojmë drejtësi të paanshme. Një pyetje thelbësore për BE-në është: Si është e mundur që, pas gjithë përvojës së UNMIK-ut, EULEX-it dhe Tribunalit Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, ish-ushtarët e Kosovës përballen me standarde të ndryshme të trajtimit gjyqësor dhe me dënime që, në raste të krahasueshme, tejkalojnë ato të shqiptuara ndaj udhëheqësve politikë e ushtarakë të regjimit të Millosheviqit?”, ka shkruar ai.

Foto: Driton Paçarada - KOHA

ZPS-ja pas dënimit ndaj Thaçit e të tjerëve: Do të vazhdojmë hetimet për pengim të drejtësisë

13 o. më parë / 17 nën 2026 12:19
Kimberly West

Pas aktgjykimit të shpallur ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, prokurorja e Specializuar, Kimberly West, ka njoftuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) do të vazhdojë hetimet dhe ndjekjet penale ndaj të gjitha rasteve të pengimit të drejtësisë.

Përmes një komunikate, West ka mirëpritur aktgjykimin dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata Speciale, duke thënë se vendimi dërgon mesazh se askush nuk është mbi përgjegjësinë ligjore, pavarësisht pozitës apo statusit të tij.

“E mirëpres aktgjykimin dhe dënimet e sotme të cilat japin një mesazh të qartë: ata që përpiqen të sabotojnë sundimin e ligjit, të zbulojnë materiale sekrete të gjykatës apo të ndërhyjnë tek dëshmitarët, do të vihen para përgjegjësisë pavarësisht statusit apo postit të tyre”, ka deklaruar West.

West ka theksuar se përpjekjet për të ndërhyrë në proceset gjyqësore dhe për të zbuluar materiale konfidenciale cenojnë integritetin e drejtësisë dhe nuk mund të mbeten pa përgjigje institucionale.

“Këto përpjekje minojnë ruajtjen e integritetit të procesit gjyqësor dhe atyre iu duhet dalë ballas”, ka thënë ajo.

Në komunikatë bëhet e ditur se akuzat në këtë rast janë ngritur në bazë të audioincizimeve të individualizuara dhe të fshehta, të realizuara me autorizimin e gjykatës, si dhe materialeve të sekuestruara.

OVL-UÇK: Dënimi i Thaçit i papranueshëm për ne, institucionet të mos rrinë duarkryq

13 o. më parë / 17 nën 2026 12:11
OVL e UÇK-së

Xhavit Jashari nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së e ka cilësuar të papranueshëm dënimin e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në disa pika në rastin kundër administrimit të drejtësisë me një vit e pesë muaj burgim.

Jashari tha se i gjithë procesi gjyqësor ka qenë i papranueshëm për organizatat e dala nga lufta, duke pretenduar se në asnjë vendim të kësaj gjykate nuk është bërë drejtësi.

“Dënimi i Thaçit, është i papranueshëm për ne, siç ka qenë i gjithë procesi i papranueshëm për organizatat e dala nga lufta, me kundërshtimet që nga krijimi, dhe gjithë këtë proces që e kemi përcjellë, vetëm në fakt është argumentuar që kjo gjykatë në asnjë rrethanë, në asnjë moment dhe në asnjë vendim nuk ka ndodhur drejtësi. E argumentoj edhe sot që është gjykatë politike, dhe marr të drejtën të them që adresa e kësaj gjykate është në Serbi dhe Rusi. I shtojmë edhe një fakt: meqenëse Hashim Thaçi mori një dënim të padrejtë, si ka mundësi pikërisht kjo seancë të thirret më 17 nëntor, kur merret parasysh që më 17 nëntor të vitit 1994 është emërtuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nga Lëvizja Popullore e Kosovës, dhe ky është edhe një argument shtesë që i vetmi qëllim i kësaj gjykate është për të goditur UÇK-në”, tha Jashari.

Ai ka kritikuar edhe Bashkimin Evropian dhe shtetet që financojnë Gjykatën Speciale, duke kërkuar reagim ndaj vendimeve të saj.

“Ku është bashkësia evropiane? Ku është Këshilli i Evropës, Parlamenti Evropian? Ku janë ato shtete që e financojnë këtë gjykatë të njëanshme, të padrejtë dhe me plot gojë e thënë raciste? Gjithë kjo që ka ndodhur dhe po ndodh për ne është e papranueshme, nga kjo gjykatë, qysh e kemi thënë që nga krijimi e deri më sot, që ne nuk i njohim gjykatat e tilla. Dhe tani dua të bëj edhe një pyetje: ku janë institucionet e Republikës së Kosovës? Dhe nga këtu ju bëjmë edhe një herë thirrje që këto institucione mos guxojnë të bëjnë kompromise dhe pazare me vlerën më kulmore me luftën e ushtrisë çlirimtare të Kosovës, sepse ushtria çlirimtare e Kosovës është vlerë mbi institucione, është vlerë që e ka sjellë lirinë e Kosovës, andaj këto institucione kanë obligim që, kur preket në këtë luftë, duhet të reagojnë, duhet të mbrojnë”, tha ai.

Jashari paralajmëroi edhe ata që, sipas tij, kanë bërë pazare me ligjin, duke kërkuar nga institucionet e Kosovës dhe drejtësia ndërkombëtare që të mos heshtë.

Në këtë proces gjyqësor, përveç Thaçit, të akuzuar ishin edhe Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi.

Gjykata Speciale e dënoi Bashkim Smakajn me 12 muaj burgim. Meqë ai ka kaluar më shumë se 12 muaj në paraburgim, do të lirohet menjëherë. Me nga 12 muaj burgim u dënua edhe Fadil Fazliu.

Ndërkaq, për Isni Kilajn gjykata shpalli aktgjykim lirues, ndërsa Hajredin Kuçit i shqiptoi një muaj burgim me kusht.

Çitaku për dënimet ndaj Thaçit dhe të tjerëve: Vendim i turpshëm dhe i papranueshëm

14 o. më parë / 17 nën 2026 11:11
Vlora Citaku

Photo: Driton Paçarada

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku e ka quajtur të turpshëm e të papranueshëm vendimin e Dhomave të Specializuara për dënimet ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve për administrim të drejtësisë.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se nuk ka asgjë më shqetësuese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë.

“Shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin tim të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në procesin për pengim të drejtësisë. Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj Gjykate”, ka thënë ajo.

Sipas saj, drejtësia nuk mund të ketë dy standarde: një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë.

“Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar. Me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike. Me vendosmëri, deri në fund! Lufta jonë për liri ishte e drejtë. UÇK ishte ushtria jonë çlirimtare. Sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset - asnjëherë. Me çlirimtarët, deri në liri”, ka shkruar ajo.