Edhe në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli fajtor Besnik Salihun për vrasjen në Dumnicë te Podujevës tre vjet më parë.
Trupi gjykues në krye me gjyqtarin Alban Ajvazi mori vendim që Besnik Salihun ta dënojë me 24 vjet burgim unik.
Ai u shpall fajtor për veprën penale “Vrasje” dhe u dënua me 23 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje me 1 vit e 6 muaj burgim.
Sipas aktakuzës, më 26 mars 2023, rreth orës 18:08, në fshatin Dumnicë e Epërme, Komuna e Podujevës, pas një mosmarrëveshjeje mes të akuzuarit Besnik Salihu dhe tani të ndjerit S.S., i akuzuari në mënyrë dinake dhe papritur iu afrua tani të ndjerit, me qëllim që t’ia merrte jetën.
“Besnik Salihun Gjykata e shpall fajtor për shkak të veprës penale ‘Vrasje’ si dhe veprën penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’”, ka thënë gjyqtari Ajvazi.
Ndërsa, të pandehurin Ilaz Salihun Gjykata e liroi nga akuza. Ai akuzohej për ndihmë në kryerjen e vrasjes.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit nuk ishte i pranishëm i pandehuri Besnik Salihu.
Edhe
Besnik Salihu dënohet me 25 vjet burgim për vrasje, vëllai i tij lirohet nga akuza
Gjykata Themelore në Prishtinë pati shpallur aktgjykim dënues ndaj Besnik Salihut duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjetësh burgim, pasi iu rikualifikua vepra penale nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje” dhe për armëmbajtje pa leje.
Vëllai i tij, Ilaz Salihu edhe herën e parë u lirua nga akuza.
Por, Gjykata e Apelit me vendimin e datës 23 qershor 2026, e anuloi aktgjykimin e shkallës së parë dhe e ktheu rastin në rigjykim.