Gjashtë orë. Aq zgjati rrethimi i fundit i Likudit: fjalime të gjata, ndërhyrje njëra pas tjetrës, çdo minutë e shfrytëzuar për të shtyrë atë që numrat e kishin vendosur tashmë. Pastaj, në orët e vona të mbrëmjes, numërimi: 66 me 52. Matan Kahana, 54 vjeç, nga partia Yashar e Gadi Eisenkotit, është presidenti i ri i Knessetit. Një rezultat i pritshëm, që tashmë është bërë realitet.
Amir Ohana, i cili për gati katër vjet e ka drejtuar sallën në emër të Benjamin Netanyahut, dorëzon çelësat. Ofir Katz, kandidati i ri i mbështetur nga Bibi dhe i përkrahur edhe nga ultraortodoksët e Shasit, mbetet në sallë.
Kahana nuk ka profilin e një revolucionari. Ish-pilot luftarak, sionist fetar, ish-ministër në qeverinë Bennett-Lapid të vitit 2021, e fundit që e largoi Netanyahun nga pushteti. Në fjalimin e tij të inaugurimit, ai premtoi se do të jetë «president i të gjithëve». Por beteja nuk ishte për të: ishte për pushtetin që kjo detyrë mbart.
Ai që ulet në atë karrige vendos se çfarë futet në sallë dhe kur. Së bashku me kryesinë e tij, përcakton rendin e ditës, u hap derën propozimeve të deputetëve ose i lë ato jashtë. Dhe në këtë zonë gri, me Netanyahun kryeministër në detyrë dhe qeverinë e re ende për t'u ndërtuar, propozimet e parlamentarëve janë të vetmet ligje të mundshme. Me Ohanën në krye të Knessetit, koalicioni i ndryshimit i kishte numrat, por jo penën.
Tani e ka edhe atë, dhe lista e gjërave për t'u shkruar është gati prej kohësh. Në krye të saj janë çmontimi i reformës në drejtësi dhe krijimi i një komisioni hetimor për 7 tetorin, të cilin Netanyahu e ka mbajtur gjithmonë larg. Eisenkot ka kohë deri në muajin e ardhshëm për të formuar një qeveri. Por tani mund të fillojë të zbatojë atë ndryshim për të cilin flet prej muajsh.
Ata që e çuan deri këtu përbëjnë një mozaik që vetëm pak muaj më parë askush nuk do ta kishte imagjinuar: Yashar, lista «Së bashku» e dy ish-kryeministrave Bennett dhe Lapid, Demokratët e së majtës, nacionalistët laikë të Avigdor Libermanit, i cili tashmë ka marrë Komisionin për Punët e Jashtme dhe Mbrojtjen. Dhe, vendimtarë, dy partitë arabe, Ra’am dhe Lista e Bashkuar. Pa 19 mandatet e tyre, karrigia do të kishte mbetur aty ku ishte.
Netanyahu i quan ata «mbështetës të terrorizmit». Eisenkot i ka kërkuar Kahanës të «ndryshojë kulturën e Knessetit» dhe u ka kujtuar të vetëve: «Duhet të respektojmë vullnetin e shumicës, por edhe të pakicës. E dimë çfarë do të thotë të jesh pakicë dhe nuk duhet ta harrojmë këtë».
Bibi vazhdon të shpresojë për një qeveri të unitetit kombëtar. E kërkon ende, si kryeministër. Por me këtë votim në institucionin e tij më të rëndësishëm, parlamentin, për momentin nuk është më ai që komandon./ Corriere della Sera









Komente
Komento