Në ditën kur Gjermania i dha lamtumirën “Adidasit” pas 72 vitesh bashkëpunimi, një palë këpucë futbolli të kompanisë së themeluar në vitin 1949 nga Adi Dassler tërhoqën vëmendjen. Ishin ato të Brajan Grudës (Speyer, 2004).
Organizatori i Brighton, aktualisht i huazuar te RB Leipzig, shkëlqeu kundër Holandës së Xavi Hernández, duke e mposhtur 5-0. Anësori i djathtë i Gjermanisë shënoi një gol dhe dha dy asistime, duke i shkaktuar përfaqësueses holandeze humbjen më të rëndë në 67 vitet e fundit.
Por Gruda ka edhe një veçanti; është një nga futbollistët e përzgjedhur dhe mbështetur nga Lionel Messi. Në tetor 2025, ish-lojtari i Mainz mori një palë këpucë “F50 Vis10n”, pasi argjentinasi e kishte cilësuar si “një nga dhjetë talentet e reja më premtuese të futbollit botëror”.

“Jam një admirues i madh i Messit. Ai është lojtari më i mirë i të gjitha kohërave. Të përzgjidhesh prej tij nuk është barrë, por një motivim i madh”, – deklaronte Gruda. Së fundmi, ai mori edhe një paketë të veçantë me këpucët “F50 Messi El Último Tango”, të cilat argjentinasi i veshi në ndeshjen e tij të 208-të me kombëtaren, në atë që u konsiderua një moment lamtumire.
“Në nder të 208 ndeshjeve të Messit me kombëtaren, u prodhuan vetëm 208 palë në të gjithë botën. Njëra prej tyre ishte ajo që Leo veshi në fushë. Disa palë të përzgjedhura iu dhuruan gjithashtu krijuesve të përmbajtjeve, mediave dhe miqve të tij”, – shpjegoi Oliver Brüggen, zëdhënës i “Adidas”, për “Bild”.
Gruda ka vetëm dy ndeshje me kombëtaren gjermane. Në debutimin kundër Serbisë (3-1) shënoi një gol të shkëlqyer dhe realizoi 9 nga 14 driblime. Sipas Opta-s, në dhjetë vitet e fundit, vetëm Jamal Musiala, me 13 driblime të suksesshme, ka regjistruar një shifër më të lartë për Gjermaninë.

Edhe në triumfin 5-0 ndaj Holandës, Gruda u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, duke kënaqur Jürgen Klopp. “Zot i madh! Scherhant dhe Gruda dinë vërtet të luajnë futboll. Por, përveç kësaj, sasia e punës që bëjnë është e jashtëzakonshme. Kjo është ajo që e bën një skuadër. Shumë lojtarë dinë të luajnë futboll, por gjithçka lidhet me përpjekjen, përkushtimin dhe pasionin që investon. Kjo është ajo që ka rëndësi në fund”, – deklaroi Klopp.
Ndërkohë, Bastian Schweinsteiger, për “ARD”, vuri në dukje talentin e tij: “Është një ëndërr të kesh në skuadër futbollistë si Wirtz, Scherhant apo Gruda. Ata janë lojtarë që bëjnë diferencën. Ky i fundit është i nivelit botëror”. Edhe “Sport1” e vlerësoi lart, duke i cilësuar Grudën dhe Wirtz si “dy mjeshtër të topit”.
“Gruda ishte sërish lojtari që dhuroi spektakël, megjithëse në disa raste priret ta humbasë topin. Megjithatë, guximi dhe vendosmëria me të cilat ky 22-vjeçar luan për Gjermaninë janë një shenjë shumë pozitive dhe i bëjnë të falshme edhe disa gabime”, – shkruante media gjermane.
E ardhmja e Grudës duket gjithnjë e më larg Brighton. RB Leipzig ka siguruar një opsion blerjeje që hyn në fuqi në vitin 2027, për një shifër relativisht të përballueshme prej 30 milionë eurosh.
Megjithatë, interesimi për të nuk mungon. Bayern Munich e ka ndjekur prej kohësh. “Bayerni e ka pasur gjithmonë në listën e tij, madje edhe përpara transferimit të tij te Brighton. Nuk është diçka e re. E ka ndjekur edhe në merkatot e mëparshme”, – zbulon gazetari Florian Plettenberg.
Pra, një yll i ri duket se ka lindur. Me rrënjë shqiptare, por që ka zgjedhur të përfaqësojë Gjermaninë, ku është lindur dhe rritur.







