
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare, ku në qendër të diskutimeve dhe votimeve do të jetë shqyrtimi në parim i projektbuxhetit për vitin 2027 dhe paketës fiskale.
Projektligjet kanë kaluar më herët në komisionet parlamentare, ndërsa sot pritet të zhvillohet diskutimi i parë në seancën plenare.
Seanca pritet të zhvillohet në një klimë tensioni politik, ndërsa opozita do të përfaqësohet me një numër të reduktuar deputetësh. Aktualisht, 13 deputetë të Partisë Demokratike janë të përjashtuar nga punimet e Kuvendit, mes tyre kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, dhe sekretari i përgjithshëm, Flamur Noka.
Ndërkohë, demokratët pritet të mbledhin grupin parlamentar për të përcaktuar qëndrimin dhe vijimin e aksionit të tyre në Kuvend.
Përveç projektbuxhetit të vitit 2027, në rendin e ditës janë përfshirë edhe disa projektligje që lidhen me paketën fiskale, përkatësisht ndryshimet në ligjet për tatimin mbi të ardhurat, tatimin mbi vlerën e shtuar, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Në rendin e ditës së seancës janë gjithashtu projektligji për disa ndryshime në ligjin për strehimin social dhe projektvendimi për ndryshimin e vendimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Seanca do të përfshijë edhe miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 29 tetorit 2026, njoftime dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.