Mjaftonte 1 pikë, mjaftonte që nga Irlanda të mos dilnin “duar bosh”, por për fat të keq, Kosova bie në Dublin, pëson një humbje të rëndë 3-0 që nxjerr dardanët nga objektivi. Me 6 pikë në 6 ndeshje, ekipi i Franco Fodës mbylli Grupin B3 në vendin e 3-të, qëndron në këtë Ligë, por humbet një shans të artë, nuk arrin të sigurojë prezencën në vazon e dytë në shortin për kualifikueset e “Euro2028”, por bie në vazon e tretë, aty ku ndodhet edhe Shqipëria. Lajmi i vetëm pozitiv, nëse mund të konsiderohet i tillë, është fakti që shmanget një derbi i mundshëm mes shqiptarësh.

Në Irlandë, Kosova e nisi sfidën “flak” duke krijuar menjëherë të paktën dy raste të pastra për gol, por në momentin e tyre më të mirë, një veprim instiktiv i Hajrizit i kushtoi shtrenjtë, ku prekja e topit me dorë shkaktoi penallti dhe karton të kuq për mbrojtësin e Sion. Pesha e këtij veprimi u bë edhe më e rendë pasi Parrott u tregua i saktë nga 11 metra distancë duke kaluar Irlandën në avantazh.

Edhe pse me një lojtar më pak, Kosova nuk u dorëzua, por me fillimin e pjesës së dytë, ishte portieri Muric që ndërhyri në mënyrë të gabuar duke shkaktuar një tjetër penallti. Sërish Parrott u tregua i saktë duke dyfishuar shifrat. Me një lojtar më pak që nga minuta e 26-të dhe në dizavantazh të dyfishtë, Kosova e kishte të pamundur të rikthehej në lojë, jo vetëm kaq, por në minutën e 75-të, Irlanda realizoi edhe golin e tretë duke mbyllur përfundimisht llogaritë me dardanët.

Pas ndeshjes, trajneri Foda u ndal pikërisht tek detaji që ndryshoi rrjedhën e këtij takimi, kartoni i kuq i Hajrizit: “Në këto nivele është e pamundur të lush me një lojtar më pak. Nuk duhet të ndodhte, një lojtar me aq shumë eksperiencë duket të merrtë një tjetër vendim në ato momente”, u shpreh Foda.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb