Analisti Fatos Lubonja ka kritikuar deklaratat e kryeministrit Edi Rama për standardet dhe performancën e Shqipërisë, duke e akuzuar atë se paraqet një realitet të ndryshëm nga ai që përjetojnë qytetarët.
I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Lubonja ironizoi krahasimet e Ramës me Suedinë dhe deklaratat e tij për nivelin e besimit, duke theksuar se sipas një studimi të një organizate kombëtare, Shqipëria renditet e parafundit në botë për besimin ndaj institucioneve.
“Ky na krahason me Suedinë dhe thotë se tek ne perceptimi i besimit është shumë i lartë. Gjatë kohës së këtij njeriu ka ikur gjysma e shqiptarëve dhe po vazhdojnë të ikin. Ky del dhe na nxjerr këto gënjeshtra. Çfarë t’i thuash?!”, Sipas një studimi të një organizate kombëtare, Shqipëria renditet e parafundit në botë për besimin ndaj institucioneve”,– u shpreh Lubonja ndër të tjera.
Deklaratat e analistit vijnë në një kohë kur kryeministri Edi Rama ka prezantuar një sërë të dhënash për prokurimin publik në Shqipëri, duke mbrojtur performancën e qeverisë dhe duke e krahasuar vendin me shtetet e Bashkimit Europian.
Sipas Ramës, Shqipëria është më mirë se 21 vendet e BE-së sa i takon besimit në institucione.
“Një tjetër tymnajë e madhe për indikatorin, tenderët pa garë, zhbëhet plotësisht se Shqipëria është më mirë se 21 vendet e BE-së”, deklaroi Rama.













