Edison Pula, i dyshuar si pjesë e grupit kriminal shqiptar të njohur si “Banda e Niklës”, është paraqitur para Gjykatës së Reimsit në Francë, në një seancë të zhvilluar nën masa të rrepta sigurie.
Sipas mediave franceze për shoqërimin e shqiptarit drejt gjykatës janë angazhuar forcat speciale ERIS të administratës penitenciare. Për arsye sigurie, është bllokuar edhe rruga pranë godinës së gjykatës gjatë zhvillimit të operacionit.
Edison Pula u arrestua më 20 janar 2025 në Luksemburg, në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër grupit kriminal shqiptar “Nikla”, i dyshuar për dhjetëra grabitje të banesave luksoze në Francë dhe Belgjikë. Pas arrestimit, ai u vu në dispozicion të drejtësisë franceze, ku dyshohet si një nga drejtuesit e grupit, përgjegjës për rreth 50 grabitje me një dëm ekonomik mbi 1 milion euro.
Kush Edison Pula?
Edison Pula konsiderohet si anëtar i bandës së Niklës, teksa është njeriu që përveç vjedhjeve në Shqipëri, u dëmtoi karrierën dhe dy policëve pasi u arratis në çastet që ata po e fusnin në burg. Ai po ashtu është arratisur mëngjesin e 9 qershorit të viti 2022 nga burgu i Trevisos në Itali.
Teksa pritej të dilte para Gjykatës për 50 vjedhje, nga Burgu i Trevizos, Pula, që njihet si mjeshtër i arratisjeve dhe i vjedhjeve serial, ai u largua asokohe së bashku me dy shqiptarë të tjerë, por këta të fundit u arrestuan brenda pak orësh.
Por më shumë se sa episodet e vjedhjeve në Itali dhe Shqipëri dhe implikimi në drogë, emri i të arratisurit Edison Pula lidhet me një nga atentatet me tritol të organizuar ndaj njerëzve të hetuar për vjedhjen e një mjeti që u përdor për vrasjen e kryekomisar Ditan Lamaj.
Numri i telefonit që aktivizoi bombën me tritol më 19 shtator 2016 në automjetin Gentjan Bejtjes i dëmtuar rëndë në atë kohë, e tradhtoi Edison Pulën dhe bashkëpunëtorët e tij. Krimet e Rënda e hetuan në atë kohë shënjestrën e atentatit të Pulës, Gentjan Bejtja, së bashku me Enver Stafukën, si hajdutët që siguruan makinën “BMV” prej nga ku u qëllua me breshëri Dritan Lamaj.
Për atentatin që synoi të asgjësonte një person që ka dijeni për autorët e vrasjes së një polici si Lamaj, Prokuroria mori nën hetim jo vetëm Edison Pulaj, por edhe Oltion Cacën, që të dy nën akuzë për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe shpërthim me eksploziv.
Ky hetim së bashku me vendimet e fajësisë shkoi për rekurs në Gjykatën e Lartë, së bashku me episode të tjera për të cilat i arratisuri akuzohet në Shqipëri si vjedhje dhe drogë.
Në Krujë, dy ditë pasi ai u mor i pandehur dhjetorin e vitit 2016, Edison Pula u shpëtoi nga duart dy policëve Denis Çela dhe Naim Stafuka, duke u arratisur. Policët që u arrestuan për shpërdorim detyre thanë se sapo e zbritën nga makina për ta futur në komisariat, i dyshuari përfitoi nga dera e hapur dhe u largua.














