Një klauzolë e veçantë në kontratën e Jamal Musialas mund t’i kushtojë shtrenjtë Bayern Munichut në rast se ylli gjerman pëson një lëndim afatgjatë.

Sipas raportimit të gazetës gjermane Sport Bild, kontrata e 23-vjeçarit përmban një dispozitë që i garanton atij pagën e plotë për gjashtë muaj, në rast se një lëndim e detyron të qëndrojë jashtë fushave për një periudhë të gjatë.


Zakonisht, Bayern Munichu, sikurse edhe punëdhënësit e tjerë në Gjermani, është i detyruar t’ua paguajë punonjësve pagën e plotë vetëm për gjashtë javët e para të sëmundjes ose paaftësisë për punë. Nga java e shtatë, pagesat kalojnë te sigurimi shëndetësor shtetëror, me një kufi prej 5.812,50 euro bruto në muaj.

Megjithatë, Musiala ka arritur të sigurojë kushte shumë më të favorshme gjatë rinovimit të kontratës në shkurt të vitit 2025. Në atë kohë, futbollisti dhe drejtuesit e klubit bavarez e zgjatën marrëveshjen, e cila fillimisht skadonte më 30 qershor 2026, deri në vitin 2030.

Përveç kësaj, reprezentuesi gjerman përfitoi edhe një rritje të konsiderueshme të pagës. Sipas Sport Bild, Musiala përfiton 25 milionë euro në sezon, duke u renditur i dyti në listën e futbollistëve më të paguar të Bayernit, pas Harry Kane, paga vjetore e të cilit raportohet të jetë 29 milionë euro.

Kjo klauzolë merr rëndësi të veçantë duke pasur parasysh problemet fizike që Musiala ka pasur gjatë periudhës së fundit.

Në verën e vitit 2025, gjatë Kupës së Botës për Klube, ai pësoi një thyerje të fibulës pas një përplasjeje me ish-portierin e Paris Saint-Germainit, Gianluigi Donnarumma, duke qëndruar më pas jashtë fushave për më shumë se gjashtë muaj.

Pas rikthimit, 23-vjeçari është përballur sërish me probleme të ndryshme fizike. Gjatë këtij sezoni ai ka munguar në disa ndeshje për shkak të një dëmtimi muskulor, si dhe pasojave të episodeve të shkurtra të humbjes së përkohshme të vetëdijes, të lidhura me një çrregullim neurologjik./Telegrafi/