Shqipëria ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt objektivit për të marrë pjesë në Kampionatin Europian 2028. Kuqezinjtë e mbyllën Grupin C1 të Ligës së Kombeve në vendin e parë, me 15 pikë nga gjashtë ndeshje, duke regjistruar pesë fitore dhe vetëm një humbje. Përveç ngjitjes në Ligën B, ky rezultat i jep përfaqësueses shqiptare edhe një mundësi shtesë për të luftuar për një vend në Europian.
Fitorja e grupit në Ligën e Kombeve mund të rezultojë shumë e rëndësishme në rast se Shqipëria nuk arrin të sigurojë kualifikimin përmes eliminatoreve të zakonshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kuqezinjtë e kanë të garantuar pjesëmarrjen në fazën play-off, pasi përzgjedhja do të varet nga renditja e përgjithshme e Ligës së Kombeve dhe numri i vendeve të disponueshme.
Rruga kryesore mbetet kualifikimi direkt. Më 6 dhjetor do të hidhet shorti i eliminatoreve të Euro 2028, ku 54 përfaqësueset pjesëmarrëse do të ndahen në 12 grupe, gjashtë me nga katër skuadra dhe gjashtë me nga pesë ekipe. Ndeshjet do të zhvillohen gjatë vitit 2027, ndërsa Shqipëria do të synojë të përfundojë në vendin e parë ose të jetë mes tetë skuadrave më të mira që renditen të dytat.
Sipas formatit të përcaktuar, 12 fituesit e grupeve dhe tetë vendet e dyta më të mira do të kualifikohen drejtpërdrejt në Europian. Skuadrat e tjera do të kenë mundësinë të kërkojnë një biletë përmes ndeshjeve shtesë.
Pikërisht këtu merr rëndësi suksesi i Shqipërisë në Ligën e Kombeve. Nëse kuqezinjtë nuk arrijnë të kualifikohen direkt dhe nuk sigurojnë një vend në play-off përmes renditjes në grupin eliminator, mund të përfitojnë nga statusi i fitueses së Grupit C1.
Në renditjen mes katër fituesve të grupeve të Ligës C, Shqipëria është pozicionuar në vendin e dytë, me 15 pikë. Përpara saj ndodhet vetëm Mali i Zi, me 16 pikë, ndërsa Islanda ka grumbulluar 14 dhe Sllovakia 12 pikë.
Ky pozicion e vendos Shqipërinë në vendin e 34-t në renditjen e përgjithshme të përkohshme të Ligës së Kombeve dhe i jep përparësi ndaj Islandës dhe Sllovakisë në garën për një vend të mundshëm në play-off. Megjithatë, për të përfituar nga kjo mundësi, duhet pritur fillimisht se si do të plotësohen vendet e disponueshme nga përfaqësueset e Ligave A dhe B.
Faza play-off për Euro 2028 do të zhvillohet në mars të vitit 2028. Në varësi edhe të rezultateve të katër vendeve organizatore, Anglisë, Skocisë, Uellsit dhe Irlandës, përmes kësaj faze mund të shpërndahen dy, tri ose katër bileta për turneun final. Në garë mund të jenë tetë ose 12 përfaqësuese, mes skuadrave që përfundojnë në pozicionet përkatëse në eliminatore dhe fitueseve të grupeve të Ligës së Kombeve.
Shqipëria në vazon e tretë të shortit
Një tjetër element i rëndësishëm për kuqezinjtë është pozicionimi në vazon e tretë për shortin e eliminatoreve. Shqipëria do të jetë në të njëjtën vazo me Kosovën, Rumaninë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Sllovakinë, Gjeorgjinë, Poloninë, Ukrainën, Izraelin, Islandën dhe Skocinë.
Ndarja e vazove është si më poshtë:
- Vazo 1: Spanja, Portugalia, Franca, Anglia, Holanda, Italia, Greqia, Belgjika, Gjermania, Danimarka, Norvegjia, Kroacia.
- Vazo 2: Zvicra, Turqia, Serbia, Uellsi, Suedia, Austria, Hungaria, Bosnjë-Hercegovina, Irlanda e Veriut, Çekia, Sllovenia, Republika e Irlandës.
- Vazo 3: Rumania, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Sllovakia, Gjeorgjia, Polonia, Ukraina, Izraeli, Shqipëria, Islanda, Skocia, Kosova.
- Vazo 4: Armenia, Moldavia, Kazakistani, Letonia, San Marino, Finlanda, Qipro, Ishujt Faroe, Bullgaria, Luksemburgu, Bjellorusia, Estonia.
- Vazo 5: Malta, Azerbajxhani, Lituania, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtajni.
Shorti i 6 dhjetorit në Belfast do të përcaktojë kundërshtarët e Shqipërisë dhe rrugën që duhet të përshkojë për të arritur në Europian. Me ngjitjen në Ligën B dhe mundësinë rezervë që i jep triumfi në Ligën e Kombeve, kuqezinjtë kanë më shumë se një rrugë për të synuar pjesëmarrjen në Euro 2028.
© SYRI.net
Zverev mposht bindshëm Sheltonin dhe siguron gjysmëfinalen e ATP Finals
Milani zgjedh Tresoldin, Cardinale gati të negociojë me Club Brugge: Kërkohen 60 milionë euro
Euro 2028, zbardhet formati i kualifikueseve: Shqipëria dhe Kosova në vazon e tretë, ja si funksionon rruga drejt EuropianitBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: