Malaria mbërrin në Shqipëri: Malaria: Cilat janë simptomat dhe sa i rrezikuar është vendi ynë?

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18.11.2026, 09:23

Konfirmimi i një rasti me malarie në Shqipëri ka rikthyer vëmendjen te kjo sëmundje infektive, e cila prej vitit 1967 nuk qarkullon më në mënyrë endemike në vendin tonë. Edhe pse rastet e raportuara vitet e fundit kanë qenë kryesisht të importuara, malaria mbetet një sëmundje që kërkon diagnostikim dhe trajtim të shpejtë.

Malaria shkaktohet nga parazitët e gjinisë Plasmodium dhe transmetohet kryesisht përmes pickimit të mushkonjave femra të infektuara të gjinisë Anopheles. Sëmundja është më e përhapur në zonat tropikale dhe subtropikale, veçanërisht në Afrikën Sub-Sahariane.

Si transmetohet malaria?

Mënyra kryesore e infektimit është pickimi i mushkonjës që mbart parazitin. Pasi hyn në organizëm, paraziti kalon fillimisht në mëlçi dhe më pas prek rruazat e kuqe të gjakut.

Malaria nuk përhapet përmes kontaktit të zakonshëm mes njerëzve, si përqafimet, shtrëngimi i duarve, kollitja apo qëndrimi në të njëjtin ambient. Në raste të rralla, transmetimi mund të ndodhë edhe përmes transfuzionit të gjakut ose gjilpërave të kontaminuara.

Cilat janë simptomat?

Shenjat e para zakonisht shfaqen 10-15 ditë pas pickimit nga mushkonja e infektuar, megjithëse kjo periudhë mund të ndryshojë.

Simptomat më të shpeshta përfshijnë:

  • Temperaturë të lartë dhe ethe.
  • Të dridhura dhe djersitje.
  • Dhimbje koke dhe muskujsh.
  • Lodhje dhe dobësi trupore.
  • Të përziera, të vjella dhe diarre.

Nëse nuk trajtohet në kohë, sëmundja mund të shkaktojë komplikacione serioze, si anemi e rëndë, dëmtime të organeve, probleme me frymëmarrjen, konvulsione dhe çrregullime të vetëdijes.

Një ndër format më të rënda është ajo e shkaktuar nga paraziti Plasmodium falciparum, i cili mund të përparojë shpejt. Rrezik më të lartë për komplikacione kanë fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna dhe personat me imunitet të dobësuar.

Si diagnostikohet dhe trajtohet?

Malaria zbulohet përmes analizave të gjakut, kryesisht me ekzaminim mikroskopik ose teste të shpejta që identifikojnë praninë e parazitit.

Diagnostikimi i hershëm është thelbësor për të shmangur komplikacionet. Sëmundja është e trajtueshme, ndërsa mjekimi përcaktohet nga lloji i parazitit, gjendja shëndetësore e pacientit dhe rezistenca ndaj medikamenteve. Për infeksionet me Plasmodium falciparum, rekomandohen kryesisht terapitë e kombinuara me bazë artemisininën.

Sa raste janë regjistruar në Shqipëri?

Malaria ka qenë dikur e përhapur në Shqipëri, por transmetimi endemik u ndërpre në vitin 1967, pas programeve të kontrollit dhe eliminimit të sëmundjes.

Sipas një studimi të Institutit të Shëndetit Publik, të publikuar në buletinin e vitit 2023, gjatë periudhës 1962-2017 në Shqipëri janë konfirmuar 85 raste të importuara. Vetëm në vitet 2010-2017 janë regjistruar 43 raste.

Nga këto të fundit, 31 persona ishin infektuar në Guinenë Ekuatoriale, katër në Greqi, dy në Ganë, dy në Nigeri, ndërsa rastet e tjera lidheshin me udhëtime në Kamerun, Çad, Liberi dhe Ugandë.

Edhe në buletinin e ISHP-së për majin 2025 është raportuar një rast me Plasmodium falciparum, te një mashkull 53-vjeçar i ardhur nga Italia.

Këto të dhëna tregojnë se rastet e evidentuara në vend kanë qenë kryesisht të lidhura me udhëtimet drejt zonave ku sëmundja vazhdon të qarkullojë.

A rrezikon malaria të përhapet në Shqipëri?

Konfirmimi i një rasti nuk nënkupton automatikisht se malaria do të përhapet në popullatë. Sëmundja nuk transmetohet drejtpërdrejt nga një person te tjetri, por kërkon ndërmjetësimin e mushkonjave të infektuara.

Për këtë arsye, identifikimi i rasteve, hetimet epidemiologjike dhe monitorimi i mundësisë së transmetimit lokal janë masa të rëndësishme për të parandaluar përhapjen e saj.

Si mund të mbrohemi?

Rreziku është më i madh për personat që udhëtojnë drejt vendeve ku malaria është e përhapur. Për këtë arsye, rekomandohen disa masa parandaluese:

  • Përdorimi i preparateve kundër mushkonjave.
  • Fjetja nën rrjeta të trajtuara me insekticid.
  • Veshja e rrobave që mbulojnë krahët dhe këmbët.
  • Konsultimi me mjekun për medikamente parandaluese përpara udhëtimit në zona endemike.

Malaria është një sëmundje e parandalueshme dhe e trajtueshme, por diagnostikimi i vonuar mund të sjellë pasoja të rënda. Për këtë arsye, personat që kthehen nga zona ku sëmundja është e përhapur dhe shfaqin temperaturë apo simptoma të ngjashme duhet të kërkojnë vlerësim mjekësor.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
JOQ Sondazh
KLIKO PËR TË VOTUAR
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit