
Vlera e garancisë sovrane e dhënë nga qeveria shqiptare në kuadër të programit “Dyfisho sipërmarrjen tënde” arriti vlerën e 867 milionë lekëve (rreth 9.4 milionë eurove) në fund të muajit shtator.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se vlera e përdorur e kësaj garancisë është rritur me 50% (rreth 290 milionë lekë) gjatë tremujorit të tretë të vitit.
Kushtet e skemës së garancisë parashikojnë Ministria e Financave mund të garantojë deri në 70% të shumës së kredisë. Mbi këtë bazë, mund të llogaritet se vlera totale e kredisë e gjeneruar nga programi “Dyfisho sipërmarrjen tënde” deri në fund të 9-mujorit 2026 ishte rreth 1.24 miliardë lekë ose 13.5 milionë euro.
Garancia shtetërore për kreditimin e bizneseve mikro, të vogla e të mesme dhe fermerëve të regjistruar, u miratua fillimisht në korrik të vitit 2025, ndërsa u amendua me dy vendime të tjera të qeverisë shqiptare, në qershor dhe korrik 2026.
Sipas vendimit të fundit, Ministria e Financave merr përsipër të garantojë kredi për bizneset deri në vlerën e 5 miliardë lekëve. Nga kjo shumë, vlera prej së paku 1.5 miliardë lekësh do jetë e dedikuar për sektorin e bujqësisë dhe pjesa e mbetur prej deri në 3.5 miliardë lekësh për sektorët e tjerë të ekonomisë.
Për ofrimin e kredive në kuadrin e këtij programi, qeveria shqiptare ka lidhur marrëveshje me 11 banka tregtare në vend. Bankat mund të japin hua të garantuara për bizneset mikro, të vogla dhe të mesme, në aktivitetet kryesore ekonomike në vend.
Qëllimi i përdorimit të huasë duhet të jetë investimi për asete fizike dhe teknologjike që rrisin kapacitetet prodhuese, cilësinë e prodhimit dhe eficiencën operacionale të bizneseve.
Vlera maksimale e kredive që mund të përfitojë një huamarrës i vetëm është 200 milionë lekë, ndërsa afati maksimal i kredisë mund të jetë deri në dhjetë vjet.
Kreditë duhet të jepen në Lekë, me një normë e interesi jo më të lartë se 2% dhe me tarifa të tjera të aplikueshme ndaj huamarrësve jo më shumë se 0.5%.
Pavarësisht garancisë së ofruar, huamarrësi duhet të përmbushë kriteret financiare dhe ligjore të bankës përkatëse.
Megjithatë, vendimi i qeverisë përjashton nga garancia aplikuesit që kanë kredi me probleme, ata që kanë detyrime tatimore të papaguara dhe subjektet me aksionarë ose administratorë individë të dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për mashtrim, korrupsion, përfshirje në organizatë kriminale apo për çdo lloj veprimtarie tjetër të paligjshme që dëmton interesat financiarë të fondeve publike.
Afati i aplikimeve për të përfituar nga ky program është data 20 nëntor 2027. /Monitor