Ajo që për shumë njerëz konsiderohet mbeturinë, për të tjerë është kthyer në një mënyrë për të kursyer para dhe për të gjetur sende me vlerë. Gjithnjë e më shumë persona në vende të ndryshme po i drejtohen fenomenit të njohur si “dumpster diving”, që konsiston në kërkimin e sendeve të hedhura në kazanët e mbeturinave apo pranë tyre, për t’i ripërdorur, shitur ose dhuruar.
Një prej tyre është Darryl Baker, 39 vjeçe, nga veriu i Londrës, e cila nisi të kontrollonte mbeturinat pranë një supermarketi pasi vuri re sasi të mëdha veshjesh të hedhura. Me lejen e punonjësve, ajo arriti të siguronte rroba për fëmijët e saj, lodra, si dhe produkte të tjera që ishin ende në gjendje të mirë.
Mes gjetjeve kishte edhe veshje të markave të njohura si Nike, Ralph Lauren dhe The North Face. Darryl thotë se gjatë gjashtë muajve ka kursyer qindra paund, ndërsa disa prej sendeve i dhuron dhe të tjerat i shet.
Një tjetër shembull është 72-vjeçari Jeff Ferrell nga Teksasi, i cili prej më shumë se 50 vitesh merret me këtë aktivitet. Ai kërkon sende të përdorshme, mjete pune, veshje dhe produkte higjienike, duke mbajtur një pjesë për vete dhe duke dhuruar të tjerat. Sipas tij, nga kursimet dhe shitjet përfiton mijëra dollarë në vit.
Ndërkohë, në Angli, Charlotte Bayford tregon se nuk ka blerë shampo prej tetë vitesh, pasi gjen produkte të papërdorura ose pjesërisht të përdorura pranë banesave studentore.
Megjithatë, ky aktivitet nuk është gjithmonë i ligjshëm. Rregullat ndryshojnë nga një vend në tjetrin dhe marrja e sendeve pa lejen e pronarit mund të sjellë pasoja ligjore. Për këtë arsye, këshillohet që fillimisht të merret leja e biznesit ose personit që i ka hedhur. Përtej kursimit, ky fenomen shihet edhe si një mënyrë për të reduktuar mbeturinat dhe për t’u dhënë një jetë të dytë sendeve që ende mund të përdoren.