Në Japoni, të blesh një frut mund të kushtojë sa një darkë në restorant luksoz, një telefon i ri apo edhe një makinë e përdorur. Ajo që në shumicën e vendeve konsiderohet një produkt i zakonshëm ushqimor, në tregun japonez të frutave premium është kthyer në simbol pasurie, prestigji dhe statusi shoqëror.
Rasti më i fundit që ka tërhequr vëmendjen është regjistruar në Hakodate, në ishullin Hokkaido, ku një kuti me 7 mollë të varietetit Nanamitsuki është shitur në ankandin e parë të sezonit për 100 mijë jen, rreth 565 euro. Kjo do të thotë se secila mollë ka kushtuar mesatarisht rreth 80 euro.
Por mollët nuk janë rekordi i vetëm. Në qershor, dy pjepra të famshëm Yubari u shitën në një ankand në Sapporo për më shumë se 31 mijë euro. Ndërsa qershitë Sato Nishiki kanë arritur vlerën e rreth 10 mijë eurove për një kuti, ose afërsisht 140 euro për kokërr. Një tjetër rast i bujshëm ishte ai i rrushit Ruby Roman, një verigë e të cilit u shit për rreth 10 mijë euro.
Arsyeja e këtyre çmimeve nuk lidhet vetëm me shijen. Në Japoni, frutat e përzgjedhura konsiderohen dhurata prestigjioze, që u ofrohen klientëve, drejtuesve apo personave të rëndësishëm. Për këtë arsye, rëndësi të veçantë kanë edhe pamja dhe mënyra e paketimit.
Prodhimi kërkon gjithashtu kujdes të jashtëzakonshëm. Te pjeprat Yubari, për shembull, kultivuesit lënë vetëm një frut në çdo bimë, në mënyrë që ai të marrë sa më shumë lëndë ushqyese. Çdo produkt kontrollohet për formën, ngjyrën, peshën dhe cilësinë.
Megjithatë, jo çdo frut në Japoni kushton një pasuri. Në supermarketet e Tokios, një paketë e zakonshme me luleshtrydhe mund të kushtojë vetëm 2.5 deri në 3.5 euro. Pra, mollët 80 euro nuk janë përditshmëria e japonezëve, por pjesë e një tregu luksi ku edhe një frut mund të kthehet në objekt koleksioni.