Kushtet e përkeqësuara hidrometeorologjike në Gjirin e Vlorës dhe në det të hapur sjellin kufizime për lundrimin e mjeteve të vogla e të peshkimit.
Autoritetet njoftuan ndalimin e pajisjes me leje nisjeje për këto mjete, duke filluar nga ora 08:00 e kësaj të mërkure (18 nëntor) deri në orën 06:00 të datës 19 nëntor.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë datave 18-19 nëntor parashikohet përkeqësim i motit detar, me erë nga drejtimi jug-jugperëndim, me forcë 6-7 ballë dhe shpejtësi që pritet të arrijë 15-20 metra në sekondë.
Ndërkohë, lartësia e dallgëve parashikohet të variojë nga 1.5 deri në 2.5 metra, duke krijuar kushte të vështira për lundrimin e mjeteve të vogla dhe anijeve të peshkimit.
Për të parandaluar situatat emergjente dhe rreziqet që mund të shkaktohen nga kushtet atmosferike, autoritetet u kanë kërkuar të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë aktivitet në fushën detare të marrin masat e nevojshme për sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.
Kufizimet nuk prekin anijet e transportit ndërkombëtar detar, të cilat do të vijojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.