Mjaftonte 1 pikë, por Kosova ka pësuar një disfatë të hidhur në ndeshjen e fundit të grupit në Ligën e Kombeve. ‘Dardanët’ u mposhtën 3-0 nga Irlanda në Belfast, duke humbur shumë benefite që sillte vendi i dytë.
Kjo ndodhi pavarësisht se të besuarit e Franco Foda-s e nisën shumë pozitivisht ndeshjen. Mirëpo situata do të komplikohej në minutën e 26 kur Hajrizi priti një top me dorë në portë dhe arbitri e ndëshkoi me karton të kuq. Nga pika e bardhë e penalltisë Parrot i dha avantazhin vendasve. I njëjti autor, po me penallti, do të dyfishonte në pjesën e dytë, ndërsa shifrat përfundimtare i vulosi Moylan. Disa minuta si zëvendësues në këtë sfidë i mori edhe mesfushori me origjinë shqiptare te Irlanda Rocco Vata, djali i ish-kapitenit të Shqipërisë Rudi Vata.
Kjo disfatë bëri që në ndeshjen e fundit të grupit në Ligën e Kombeve, Liga B, Kosova të parakalohej në vendin e dytë nga Irlanda me 8 pikë, ndërsa ‘dardanët’ e mbyllën me 6. Kjo do të thotë se Kosova humbi mundësinë për të bërë ‘play-off’ për ngjitjen në Ligën A, ndërsa zbriti në vazon e tretë në shortin e kualifikueseve të Evropianit 2028 që hidhet me 6 dhjetor. Kjo do të thotë se është në të njëjtën vazo me Shqipërinë dhe nuk mund të shortohen sëbashku në një grup.







Komente
Komento