Një hark çeliku dhe një pjesë e rrugës kanë përfunduar në det. Lufta e urave ka goditur simbolin e aneksimit të Krimesë nga Rusia. Natën mes së hënës dhe së martës, Ukraina shembi një pjesë të urës së Kerçit, lidhja 19 kilometra e gjatë mes gadishullit të pushtuar dhe Rusisë, të cilën Vladimir Putin e inauguroi në vitin 2018 në timonin e një kamioni portokalli. Qarkullimi rrugor është ndërprerë, ndërsa Moska njofton se trenat kanë rifilluar pjesërisht qarkullimin në urën hekurudhore paralele, e cila gjithashtu është dëmtuar.

Për Kievin, ky është rezultati më i dukshëm i një fushate që synon të ndërpresë furnizimet për forcat ruse në jug të Ukrainës dhe të lëkundë imazhin e kontrollit të Kremlinit mbi Krimenë.

Sulmi u zhvillua në dy faza. Të hënën, një valë e parë dronësh goditi harkun qendror të urës rrugore, duke deformuar strukturën pa e shembur. Përpara se teknikët rusë të mund ta stabilizonin, një sulm i ri me dronë dhe raketa e shembi. Harku dhe pjesa e rrugës poshtë tij ranë në ngushticë.

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, ky ishte hapi i fundit i një operacioni me shtatë faza, që ishte përgatitur prej javësh. Forcat ukrainase kishin goditur njëra pas tjetrës radarët, bateritë kundërajrore dhe pajisjet e luftës elektronike, duke çarë mbrojtjen e njërës prej infrastrukturave më të mbrojtura nga Rusia.

Presidenti ukrainas tha se u përdorën disa lloje dronësh dhe raketat e lundrimit Neptune dhe Flamingo. Sipas Zelenskyt, dronët Palianytsia goditën pjesën rrugore, ndërsa Neptune, Ruta dhe FP-5 u përdorën kundër pjesës hekurudhore. Kievi kishte njoftuar edhe më parë përdorimin e raketave Flamingo. Në qershor, Zelensky kishte thënë se me këto raketa ishte goditur uzina ushtarake në Çeboksari, mbi 900 kilometra larg frontit. Këtë herë, presidenti theksoi se lidhja e komunikimit funksionoi deri në sekondat e fundit, duke mundësuar një goditje me saktësi. Financial Times e sheh këtë detaj si një shenjë të mundshme se Ukraina ka një alternativë ndaj sistemit satelitor Starshield, që prej më shumë se një jave ka kufizime në përdorim.

Zelensky e cilësoi operacionin “të paprecedentë” dhe e paraqiti si përgjigje ndaj bombardimeve ruse mbi infrastrukturën ukrainase. “Nuk do ta lëmë kurrë pa përgjigje terrorin ndaj qyteteve tona dhe njerëzve tanë”, tha ai.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Putin është informuar dhe se ura do të rindërtohet “edhe më e mirë se më parë”. Moska e ka riparuar urën disa herë. Në tetor të vitit 2022, ajo u godit nga një kamion i ngarkuar me lëndë plasëse, në vitin 2023 nga dronë detarë, ndërsa në vitin 2025 një operacion ukrainas goditi strukturat e saj mbajtëse nën ujë. Guvernatori i Krimesë, i emëruar nga Moska, raportoi për dy të vdekur në zonën e sulmit.

Dëmet shkojnë përtej goditjes simbolike ndaj një vepre që kushtoi rreth katër miliardë dollarë. Bllokimi i rrugës vështirëson lidhjet me gadishullin, i cili tashmë përballet me racionim të karburantit dhe ndërprerje të energjisë elektrike, ndërsa dëmet në hekurudhë rrezikojnë një nga rrugët e furnizimit ushtarak. Sulmi ka pasoja edhe për tregtinë. Harku ra në kanalin Kerç-Jenikale, kalimi kryesor i lundrueshëm mes Detit Azov dhe Detit të Zi. Sipas kompanisë së sigurisë detare Ambrey, anijet tregtare nuk mund të kalojnë, çka vështirëson edhe më tej transportin e drithërave, karburanteve dhe plehrave kimike nga Rusia. Heqja e masës së çelikut dhe e mbetjeve do të jetë një operacion i ndërlikuar.

Goditja erdhi dy ditë përpara takimit të planifikuar në Kinë mes Putinit, Donald Trumpit dhe Xi Jinpingut. Për Kremlinin, presionit ushtarak dhe ekonomik i shtohet kështu edhe një goditje diplomatike.

Në frontin tjetër të luftës së urave, Rusia vazhdon të godasë urat mbi lumin Dnipro. Pak para mesnatës, katër raketa balistike goditën Urën e Jugut në Kiev dhe tri të tjera Urën e Veriut. Autoritetet i mbyllën përkohësisht të dyja urat, ndërsa kryebashkiaku Vitaly Klitschko njoftoi se po verifikoheshin dëmet dhe se kishte ndërprerje në furnizimin me ujë dhe në sistemet e ngrohjes. Mbyllja e urave shkaktoi bllokime në trafik dhe mbingarkoi transportin publik. Sipas Kievit, Moska synon të ndërpresë lidhjet mes dy brigjeve të Dnipros dhe t’ua vështirësojë edhe më shumë jetën banorëve në prag të dimrit./Corriere Della Sera