Moti i keq mban të bllokuar flotën e peshkimit në Durrës, vijon normalisht aktiviteti për mjetet e tjera lundruese

18/11/2026 09:53

Moti i keq dhe dallgëzimi i lartë në det kanë pezulluar aktivitetin e flotës së peshkimit në Durrës, e cila do të qëndrojë e ankoruar deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Në gjirin e Durrësit, sipas Kapitenerisë së Portit, era fryn nga drejtimi i jugut me forcë 4-5 ballë, ndërsa gjatë orëve të mbrëmjes pritet të bjerë forca e detit.

Në det të hapur, dallgëzimi arrin deri në 6 ballë, duke krijuar kushte të vështira për lundrimin. Sipas parashikimeve, kushtet detare pritet të përmirësohen gjatë mbrëmjes, por dallgëzimi do të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme.

Për këtë arsye, flota e peshkimit do të qëndrojë e ankoruar në kalata, në pritje të përmirësimit të motit, i cili parashikohet të ndodhë nga dita e premte.

Ndërkohë, sipas Kapitenerisë së Portit të Durrësit, aktiviteti vijon normalisht për mjetet e tjera lundruese, të cilat operojnë në përputhje me kushtet dhe rregullat e sigurisë detare.

Top Channel