Hyri në aeroport dhe shkatërroi avionin ushtarak amerikan me sëpatë, aktivisti irlandez akuzohet për sabotim

Një 48-vjeçar akuzohet se ka hyrë në zonën e sigurisë së aeroportit Shannon në Irlandë dhe ka shkatërruar një avion ushtarak amerikan me vlerë 60 milionë dollarë, duke e bërë atë të papërdorshëm për fluturim.
Daithi O’Corrain dyshohet se ka prerë linjat hidraulike, ka dëmtuar instrumentet e kabinës së pilotit dhe ka hedhur toptha metalikë në rezervuarët e karburantit të avionit C-130 Hercules të Gardës Kombëtare Ajrore amerikane. Sipas prokurorëve, dëmi është aq i rëndë sa avioni nuk do të fluturojë më. (Avioni C-130 Hercules i Gardës Kombëtare Ajrore të SHBA-së, me vlerë 60 milionë dollarë (45 milionë paund), është bërë i papërdorshëm dhe nuk do të fluturojë më, thanë prokurorët amerikanë. Foto: Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së/PA)
Aktakuza ndaj tij u bë publike të martën në Manhattan, ku O’Corrain akuzohet për shkatërrimin e pronës së qeverisë amerikane në lidhje me incidentin e ndodhur në prill. Ai nuk ndodhet në paraburgim në SHBA dhe ende nuk është caktuar data e paraqitjes së tij në gjykatë. Nëse shpallet fajtor, rrezikon deri në 10 vite burg.
O’Corrain u arrestua menjëherë pas incidentit nga policia irlandeze, An Garda Síochána, dhe u akuzua në Irlandë për dëmtim të pronës dhe hyrje të paligjshme. Ai është përshkruar nga mbështetësit e tij si aktivist i pavarur për paqen.
Sipas prokurorëve amerikanë, sulmi nuk ishte një veprim spontan, por ishte planifikuar prej muajsh. O’Corrain dyshohet se kishte kërkuar në internet informacione për ndërtimin dhe karakteristikat e avionit C-130, si dhe koordinatat që mund ta ndihmonin të hynte në ambientet e aeroportit. Ai kishte abonuar gjithashtu një aplikacion për gjurmimin në kohë reale të fluturimeve dhe kishte porositur kapsula galiumi, një metal që mund të dëmtojë disa materiale metalike.
Prokuroria pretendon gjithashtu se ai kishte tentuar të kontaktonte një person të përfshirë në një shkelje të mëparshme të sigurisë në aeroportin Shannon.
Rreth orës 04:40 të mëngjesit, O’Corrain dyshohet se kaloi perimetrin e sigurisë dhe hyri në avion, pasi kishte dëmtuar mekanizmin e kyçjes së derës së pasme të ekuipazhit. Ai përdori shtretërit e varur të ekuipazhit për të mbuluar dritaret, por la të pambuluar xhamin e kabinës së pilotit.
Pasi hyri në avion, ai dyshohet se u izolua brenda, duke bllokuar dyert me rripa, mbajtëse dhe vida. Në shinat e dyerve vendosi gjithashtu toptha metalikë të përzier me epoksid, me qëllim që të pengonte hapjen dhe mbylljen e tyre, sipas aktakuzës.
Prokurori federal i Manhatanit, Jamie McDonald, deklaroi se aktakuza dërgon një mesazh të qartë se sulmet ndaj mjeteve ushtarake amerikane dhe, rrjedhimisht, sigurisë kombëtare, nuk do të tolerohen.
Ndërkohë, një fushatë online për mbledhjen e fondeve, e organizuar nga persona që e identifikojnë veten si miq të O’Corrain, pretendon se ai e çaktivizoi avionin në shenjë proteste ndaj luftës së SHBA-së kundër Iranit dhe mbështetjes amerikane për luftën e Izraelit në Gaza.
James Barnacle, drejtues i zyrës së FBI-së në Nju Jork, theksoi se ngjarja nuk ishte një akt vandalizmi i kryer në mënyrë të papritur.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





