
Një gjykatë amerikane ka dënuar me 27 vite e gjysmë burg një shtetas pakistanez, i cili akuzohet se kishte planifikuar vrasjen e presidentit amerikan Donald Trump dhe politikanëve të tjerë të njohur, përcjell DW.
Vendimi u bë i ditur të martën nga autoritetet amerikane. Gjykatësi federal Eric Komitee, gjatë shpalljes së dënimit, deklaroi se pak vepra penale janë më të rënda se planifikimi i vrasjes së një presidenti amerikan apo të një zyrtari tjetër të lartë të qeverisë.
48-vjeçari u dënua me 330 muaj burg, ose 27 vite e gjashtë muaj, për tentativë kryerjeje të një akti terrorist me shtrirje ndërkombëtare dhe vrasje me pagesë. Në mars, një juri e kishte shpallur fajtor për udhëtimin drejt SHBA-së me qëllim organizimin e atentateve ndaj politikanëve në territorin amerikan.
Sipas prokurorisë, plani i vitit 2024 synonte vrasjen e Trumpit, presidentit të atëhershëm Joe Biden dhe Nikki Haley, e cila garonte kundër Trumpit për nominimin republikan. Atentatet dyshohet se ishin menduar si hakmarrje për vrasjen e komandantit ushtarak iranian Qassem Soleimani nga SHBA-ja, në janar të vitit 2020.
Gjatë gjyqit, i dënuari dëshmoi se ishte përfshirë në plan nga Garda Revolucionare Islamike e Iranit, por pa dëshirën e tij, pasi pretendoi se veproi për të mbrojtur familjen në Teheran. Ai tregoi se kishte kërkuar informacion mbi vendndodhjet e tubimeve elektorale të Trumpit dhe kishte kontaktuar persona që mendonte se mund të kryenin atentatin. Sipas dëshmisë së tij, ai u kishte dhënë 5 mijë dollarë, të cilat i kishte marrë hua nga një i afërm.
I dënuari pretendoi gjithashtu se kishte menduar që autoritetet amerikane do ta zbulonin planin, pas së cilës ai do të bashkëpunonte me to dhe mund të përfitonte ndihmë për çështjen e emigracionit.
Sipas Departamentit amerikan të Drejtësisë, në prill të vitit 2024 një person u afrua për ta ndihmuar në organizimin e planit, por më pas njoftoi autoritetet dhe bashkëpunoi si informator i fshehtë.
48-vjeçari u arrestua në Teksas në korrik të vitit 2024, një ditë përpara një tjetër tentative, të palidhur me këtë çështje, për vrasjen e Trumpit në Butler të Pensilvanisë.
Irani ka mohuar se ka synuar vrasjen e Trumpit apo zyrtarëve të tjerë amerikanë, si dhe se ka organizuar sulme ndaj tyre.