Pajisja me leje nisjeje e anijeve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës është ndaluar nga ora 08:00 e ditës së sotme deri në orën 06:00 të ditës së nesërme.
Përmes një njoftimi, Autoriteti Portual Vlorë bën me dije se ky ndalim vjen për shkak të motit të keq me erë të fortë, që pritet të shoqërohet me dallgë nga 1.5 deri në 2.5 metra.
Ndërkohë anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
Njoftimi i Portit të Vlorës:
Përshëndetje,
Njoftim mbi kushtet hidrometeorologjike të përkeqësuara gjatë datave 18-19.11.2026
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë Gjirit të Vlorës gjatë datave 18-19.11.2026, ku duke filluar nga ora 08:00 e datës 18.11.2026 pritet erë në drejtimin JUG-JUGPERËNDIM me forcë deri 6-7 bft, shpejtësi 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri në 2.50 metra, ju njoftojmë si më poshtë :
1. Është ndaluar pajisja me leje nisjeje e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë Gjirit të Vlorës (në det të hapur), duke filluar nga ora 08:00 e datës 18.11.2026, deri në orën 06:00 të datës 19.11.2026.
2. Me qëllim parandalimin e çdo rreziku apo situate emergjente për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e masave të nevojshme në sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve.
3. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
4. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 19.11.2026.











Komente
Komento