Mbi 500 nxënës shqiptarë mësojnë shqip në Hessen të Gjermanisë
Mbi 500 nxënës shqiptarë ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe në Hessen të Gjermanisë. Të dhënat u prezantuan në kuvendin vjetor të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH), organizatë që angazhohet për organizimin dhe mbështetjen e mësimit të gjuhës shqipe në këtë land, ku u zgjodh edhe kryesia e re.
Kuvendi u mbajt më 14 nëntor 2026 në Frankfurt am Main, me pjesëmarrjen e mësimdhënësve të shkollave shqipe, përfaqësuesve të prindërve, donatorëve dhe të ftuarve të nderit. Në mesin e të pranishmëve ishte edhe konsulli i Republikës së Kosovës në Frankfurt, Gëzim Gashi, shkruan Telegrafi.

Gjatë takimit u prezantuan raporti i veprimtarisë dhe ai financiar për periudhën nëntor 2025 – tetor 2026, të cilët pasqyruan punën dhe angazhimin e organizatës në mbështetje të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Hessen.
Sipas të dhënave të prezantuara, një nga arritjet kryesore për periudhën 2024–2026 është regjistrimi i mbi 500 nxënësve në shkollat shqipe. Mësimi zhvillohet në 28 paralele, në 23 lokacione të ndryshme, me angazhimin e 20 mësimdhënësve.
Këto rezultate pasqyrojnë angazhimin e mësimdhënësve, mbështetjen e prindërve dhe bashkëpunimin e komunitetit shqiptar për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare te brezat e rinj.

Një nga pikat kryesore të kuvendit ishte edhe zgjedhja e kryesisë së re të LAPSH-it në Hessen.
Kryetare e organizatës u zgjodh Ilhane Azizi, ndërsa nënkryetarë Jeton Gashi, Kenada Avdiji dhe Bajram Fazliu.
Në përbërje të kryesisë së re janë edhe Nezir Bajramaj në detyrën e sekretarit dhe Leonora Elezaj si arkëtare. Revizorë të arkës u zgjodhën Omer Haziri dhe Xhavit Xhafa.
Ndërkaq, Bordi Këshillues përbëhet nga Vërshim Berisha, Anton Daka dhe Dinor Kadrijaj.
Në fund të kuvendit, organizatorët falënderuan mësimdhënësit, prindërit, donatorët dhe bashkëpunëtorët për mbështetjen dhe kontributin e vazhdueshëm në funksion të shkollës shqipe.
Kryesisë së re iu urua suksese në realizimin e objektivave dhe nismave të ardhshme, me shpresën që numri i nxënësve dhe i paraleleve të vazhdojë të rritet, në mënyrë që gjithnjë e më shumë fëmijë shqiptarë në Hessen të kenë mundësi të mësojnë gjuhën, kulturën dhe traditat e tyre kombëtare./Telegrafi/






























