Kryeministri Edi Rama ka mbërritur në Kuvend pak para orës 10:00, ku pritet të nisë seanca plenare. Në rendin e ditës janë diskutimet për Paketën Fiskale dhe Buxhetin e vitit 2027, të cilat kanë kaluar më parë në komisionet parlamentare.
Partia Demokratike do të jetë e përfaqësuar me një numër të reduktuar deputetësh për shkak të përjashtimit të 12 ligjvënësve, mes tyre kreu i grupit parlamentar Gazment Bardhi dhe sekretari i Përgjithshëm Flamur Noka. Një ditë para seancës, kreu i PD-së Sali Berisha njoftoi qëndrimin e opozitës, duke deklaruar se demokratët do të votojnë kundër projektbuxhetit. Ai e kritikoi procesin e hartimit si të zhvilluar në mungesë transparence dhe pa konsultime me qytetarët dhe përfaqësuesit e biznesit, dhe tha se projektbuxheti favorizon një grup të kufizuar përfituesish, ndërsa barra financiare bie mbi qytetarët dhe sipërmarrjet shqiptare.
Pas votimit në parim në Kuvend, projektbuxheti do t’i kthehet komisioneve parlamentare për shqyrtim nen për nen para se të kalohet sërish për votimin përfundimtar në seancë plenare. Përveç projektbuxhetit, në rend dite janë edhe ndryshime në legjislacionin fiskal që prekin tatimin mbi të ardhurat, Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat. Janë përfshirë gjithashtu ndryshime në ligjin për strehimin social dhe një vendim për Komisionin e Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale, si dhe diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
Seanca do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së 29 tetorit 2026, pasuar nga njoftimet dhe shqyrtimi i projektligjeve të parashikuara. Rendi i ditës përfshin miratimin e procesverbalit, njoftime dhe një seri projektligjesh për ndryshime dhe shtesa në ligjet: për tatimin mbi të ardhurat; për TVSH (ligji nr. 92/2014); për procedurat tatimore (ligji nr. 9920/2008); për taksat kombëtare (ligji nr. 9975/2008); për akcizat (ligji nr. 61/2012); për buxhetin e vitit 2027; për strehimin social (ligji nr. 22/2018); ndryshim në vendimin nr. 169/2026 për ngritjen e Komisionit të Posaçëm, dhe diskutime për çështje jashtë rendit.

