Kuvendi i Shqipërisë sot mblidhet në seancë plenare, ku në qendër të diskutimeve do të jenë ndryshimet në legjislacionin fiskal dhe projektbuxheti për vitin 2027. Deputetët do të shqyrtojnë në parim një sërë projektligjesh që prekin tatimin mbi të ardhurat, TVSH-në, procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat.
Sipas rendit të ditës të përcaktuar me urdhrin nr. 68, datë 16 nëntor 2026, shqyrtimi do të nisë me ndryshimet në ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat”, për të vijuar me ndërhyrjet në ligjin për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH).
Në vijim, deputetët do të shqyrtojnë ndryshimet në ligjin për procedurat tatimore, taksat kombëtare dhe akcizat. Të gjitha këto projektligje do të kalojnë për shqyrtim në parim në seancën e së mërkurës.
Një tjetër pikë kryesore e rendit të ditës është projektligji “Për buxhetin e vitit 2027”, i cili gjithashtu do të shqyrtohet në parim nga Kuvendi.
Përveç çështjeve fiskale dhe buxhetit, deputetët do të diskutojnë edhe disa ndryshime në ligjin për strehimin social, si dhe një projektvendim për ndryshimin e vendimit për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Seanca plenare do të nisë me miratimin e procesverbalit të mbledhjes së datës 29 tetor dhe njoftimet përkatëse, ndërsa në fund të saj janë parashikuar diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.