Prokuroria e Tiranës ka dërguar në gjyq Adelina Nikën dhe Llambi Nikën, administratore dhe pronar të shoqërisë “Nika” sh.p.k., të dyshuar për veprat penale të fshehjes së të ardhurave dhe falsifikimit të dokumenteve. Për të dy është caktuar masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.
Hetimi nisi pas kallëzimit të njërit prej ortakëve të shoqërisë, vëllait të Llambi Nikës, i cili pretendon se ky i fundit kishte përpiluar dhe nënshkruar në emër të tij disa vendime të asamblesë së ortakëve, duke i paraqitur ato si dokumente të miratuara dhe të firmosura nga të gjithë ortakët.
Sipas kallëzuesit, ai nuk i kishte nënshkruar dhe as miratuar këto vendime, ndërsa përmbajtja e tyre nuk pasqyronte vullnetin e asamblesë. Ai pretendon se Llambi Nika kishte vepruar në mënyrë të njëanshme, pa dijeninë dhe pëlqimin e tij, duke falsifikuar nënshkrimin dhe përmbajtjen e dokumenteve, me qëllim përdorimin e tyre si të vërteta për përfitime personale dhe manipulimin e të dhënave tregtare e administrative të shoqërisë.
Ndërkohë, gjatë kontrollit tatimor është konstatuar se shoqëria përdorte dy sisteme të mbajtjes së të dhënave kontabël. Në pajisjen kompjuterike ku mbaheshin llogaritë e subjektit janë gjetur programet “Bilance online N”, ku regjistroheshin faturat e brendshme të lëshuara dhe të pafiskalizuara, si dhe “Bilanci shpk”, ku mbaheshin faturat e fiskalizuara.
Në bazë të hetimit tatimor, detyrimi tatimor i papaguar në principal është përcaktuar në vlerën 11.707.612 lekë, sipas shkresës së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, datë 20 maj 2026.
Prokuroria dyshon se Adelina Nika, në cilësinë e administratores së shoqërisë dhe përgjegjëse për administrimin e deklarimin e aktivitetit të saj, ka mbajtur regjistrime të shitjeve reale paralelisht me deklarimin e vlerave më të ulëta. Sipas organit të akuzës, kjo praktikë e përsëritur mbështet dyshimin për fshehje të qëllimshme të të ardhurave, me synim shmangien e detyrimeve tatimore.
Në përfundim të hetimeve për procedimin penal nr. 8940 të vitit 2025, Adelina Nika është marrë e pandehur për “Fshehje të të ardhurave”, sipas nenit 180/3 të Kodit Penal, ndërsa Llambi Nika për “Falsifikim të dokumenteve”, në formën e përdorimit të dokumentit të falsifikuar, sipas nenit 186/1.
Masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit synon të garantojë që të dy personat të mos largohen nga Shqipëria pa autorizim gjyqësor dhe të jenë të disponueshëm gjatë procesit penal.



