Protestë para Kuvendit për rastin e Arlinda Zekajt, kërkohet transparencë nga Komisioni Hetimor
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist po proteston para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në kohën kur Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili po heton veprimet dhe mosveprimet institucionale lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e rasteve të dhunës ndaj grave dhe fëmijëve në familje, pritet të intervistojë pesë dëshmitarë.
Në mesin e personave që do të dëgjohen nga Komisioni është edhe kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, si dhe katër zyrtarë të Qendrës për Punë Sociale në Pejë.
Dëshmitarët e paraparë për intervistim janë Toska Gega, menaxhere e rastit në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, Durim Kelmendi, udhëheqës në këtë institucion, Shpat Morina, zyrtar i QPS-së, Shpresa Lukaj, drejtuese e Qendrës për Punë Sociale në Pejë, si dhe kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri.
Megjithatë, një nga zhvillimet që ka nxitur reagime është vendimi i Komisionit që intervistimi i Toska Gegës të zhvillohet me dyer të mbyllura.
Kjo kërkesë është bërë nga vetë Gega, e cila ka kërkuar që dëshmia e saj të mos jetë publike, për shkak të ndjeshmërisë së rastit. Komisioni e ka miratuar këtë kërkesë, por vendimi ka nxitur pakënaqësi te protestuesit, të cilët e shohin mbylljen e seancës si një veprim që mund të pengojë transparencën dhe informimin e publikut për këtë rast.
Protestuesit po kërkojnë që procesi hetimor të zhvillohet me transparencë dhe që institucionet përgjegjëse të japin llogari për veprimet dhe mosveprimet e tyre në trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt.
Ndërkohë, gjatë mbledhjes së Komisionit, jashtë Kuvendit nga protestuesit po lëshohen edhe audioincizimet që e ndjera Arlinda Zekaj i kishte dhënë brenda Stacionit Policor në Pejë.
Prania e protestuesve para Kuvendit ka bërë që të shtohet edhe numri i zyrtarëve policorë në afërsi të objektit. Policia është e pranishme për të mbikëqyrur situatën dhe për të siguruar mbarëvajtjen e aksionit protestues.
Kujtojmë se Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës nga ish-kunati i saj, pasi ajo ishte kthyer nga Policia ku kishte denoncuar ish-bashkëshortin për kanosje dhe pak ditë pasi u kishte dërguar një letër institucioneve duke paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.















