Lajmi i fundit

LIVE - Kuvendi i Shqipërisë në seancë plenare, diskutohet projektbuxheti 2027

Tabaku: Ku shkuan 1.2 miliardë eurot e rindërtimit? KLSH evidenton shkelje, banesat ende pa u shpërndarë

10:37, 18/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka ngritur akuza për keqmenaxhimin e fondeve të rindërtimit gjatë fjalës së saj në seancën e sotme plenare, ku po diskutohen Buxheti 2027 dhe Paketa Fiskale.

Tabaku deklaroi se për rindërtimin janë shpenzuar 1.2 miliardë euro gjatë gjashtë viteve, ndërsa një pjesë e banesave për familjet e prekura nga tërmeti ende nuk është shpërndarë. Ajo iu referua edhe raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili, sipas saj, evidenton shkelje në këtë proces.

Tabaku kritikoi gjithashtu mënyrën e zhvillimit të procesit parlamentar, duke akuzuar mazhorancën për shkelje të Rregullores dhe kufizim të hapësirës së opozitës.

Ajo ngriti pikëpyetje mbi kontratat e rindërtimit, të cilat sipas saj janë dhënë në kundërshtim me ligjin dhe pa mbulim të rregullt buxhetor, duke kërkuar transparencë se ku kanë përfunduar 1.2 miliardë eurot e akorduara.

Tabaku: Përfaqësuesi i grupit parlamentar zoti Alizoti duhet të kishte folur 10 min. Nuk ka një rregullore për PS dhe një për PD. Ka një rregullore që duhet të zbatohet për të gjithë. Dhe unë besoj që kjo ishte shumë e qartë dhe në progres raportin dhe në kriterin politik që i erdhi parlamentit. Që nga viti 2009 që lexoj progres raporte, nuk ka pasur sa ai i këtij viti. Hapsirë opozitare e ngushtuar, asnjë mundësi për të krijuar komisione hetimore, procesi legjislativ i bërë shpejtë, keq, pa transparencë dhe pa konsultime. Ky është edhe rasti i ligjit të strehimit që ju e keni përfshirë për të diskutuar bashkë me buxhetin. Ka qënë një praktik në këtë parlament që buxheti i shtetit si dokumenti më i rëndësishëm që miratohet në parlament të mos kishte absolutisht asnjë projektligj tjetër në seancën që diskutohet projektbuxheti. Ju keni marrë dhe keni përfshirë ligjin e strehimit. Është në gjykimin tuaj por ju nuk mund ta shkelni rregulloren, ligji i strehimit nuk ka qënë në kalendar as në program pune. Ligji i strehimit në qoftë se miratohej sot kalendari, nga dita e nesërme mund të fillonte dhe të diskutohej në komisionet parlamentare por ju e keni përfshirë sot ne seancë duke shkelur rregulloren. Kur e shkel kryetari i parlamentit rregulloren, çfarë duhet të bëjë opozita?

Ka 6 vite, viti i 7 i buxhetit që rindërtimi është në çdo buxhet, ka shkuar 1.2 miliardë euro. 1.2 miliardë euro rindërtim me kontrata që i keni dhënë pa kontrata të cilat i keni dhënë pa i miratuar në buxhetin e shtetit, ka shkuar 3% e prodhimit të përgjithshëm bruto dhe të gjitha ato kontrata janë në shkelje të ligjit.

Keni bërë tendera dhe nuk keni shpërndarë banesat. Sa herë që ka tërmet, në Shqipëri ndodh ky fenomen. Prezantohet në buxhet në vitin e parë dhe pastaj nuk ka asnjë në buxhet pasardhës që i mbulon fondet sepse të gjitha kontratat janë në shkelje. Sa herë që ka fatkeqësi ndodh ky fenomen, përfshihet në buxhet dhe përfshihet vetëm për të bërë tendera. 1.2 miliardë euro ku kanë shkuar, ku kanë shkuar pasi edhe sot vazhdoni dhe flisni për rindërtimin. 18 milionë euro tha ministri i Brendshëm që do i japim rindërtimit. Erdhi ministri nga Berati dhe u kujtua se 5 Maji dhe Kombinati janë akoma pa banesa. Ku shkuan 1.2 miliardë eurot e rindërtimit? Pse nuk janë shpërndarë banesat ashtu siç duhet të ishin ndarë? Raporti i KLSH thotë se rindërtimi ka qënë një nga aferat më të mëdhaja korruptive.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco