Me shumicë votash, Komisioni Hetimor për vrasjen e Arlinda Zekajt vendosi që dëgjimi i Toskë Gegës, menaxheres së rastit në Qendrën për Punë Sociale në Pejë, të zhvillohet pa praninë e publikut.
Vendimi pasoi kërkesën e Gegës dhe diskutimet mes anëtarëve, të cilët shprehën mendime të ndryshme për transparencën dhe ruajtjen e të dhënave që lidhen me një të mitur.
Të lidhura
None found
Gega kërkoi që mediat të mos jenë të pranishme, duke argumentuar se rasti është i ndjeshëm dhe përfshin një të mitur.
“Kërkoj që mbledhja e komisionit të mbahet me dyer të mbyllura, pasi bëhet fjalë për një të mitur dhe rasti është shumë i ndjeshëm”, u shpreh ajo.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, propozoi që pjesa e pyetjeve të përgjithshme të zhvillohej publikisht, ndërsa mbledhja të mbyllej kur diskutimi të përqendrohej te i mituri. Ai tha se kishte pyetje të përgjithshme që nuk hynin te rasti.
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doarsa Kica-Xhelili, vuri në dukje se mund të jetë e vështirë të dallohet se cilat pyetje janë të përgjithshme dhe cilat mund të zbulojnë të dhëna për të miturin. Sipas saj, publik mund të ishte vetëm diskutimi për punën e menaxheres, ndërsa pjesa tjetër duhej të mbahej e mbyllur.
Deputeti Eman Rrahmani kërkoi që seanca të ishte e hapur, përveç rasteve kur përgjigjet përmbanin të dhëna të ndjeshme. Ai argumentoi se përgjegjësia për të nxjerrë përfundime nga rasti nuk e përjashton diskutimin publik dhe informimin e opinionit.
Deputetja e PDK-së, Besa Bytyqi, propozoi që dëgjimet e personave me kontakt të drejtpërdrejtë me viktimën dhe të miturin të zhvilloheshin me dyer të mbyllura. Ndërsa dëshmitë e zinxhirit komandues dhe mbikëqyrës, sipas saj, duhej të ishin publike. Ajo mbështeti mbylljen e dëgjimit të Gegës, pasi pyetjet e saj lidheshin me rastin.
Në përfundim të diskutimeve, komisioni votoi që intervistimi i Toskë Gegës të mbahet i mbyllur.
Pas saj, komisioni do të intervistojë Durim Kelmendin, udhëheqës në QPS, Shpat Morinën, zyrtar të QPS-së, Shpresa Lukajn, drejtuese të QPS-së në Pejë, dhe Gazmend Muhaxherin, kryetar të Komunës së Pejës.
Për secilin prej tyre do të vendoset veçmas nëse dëgjimi do të jetë i mbyllur.





