Apple, viktima e radhës e defekteve teknologjike që po paralizojnë shërbimet digjitale

Një përditësim i pasuksesshëm i sistemeve të Apple ka shkaktuar ndërprerje të konsiderueshme të shërbimeve të kompanisë, duke iu shtuar një serie problemesh të mëdha teknologjike që kanë prekur ditët e fundit Microsoft, kompaninë ajrore United Airlines dhe Administratën Federale të Aviacionit në SHBA.
Shumë prej shërbimeve online të Apple dolën jashtë funksionit të martën, pas një përditësimi të brendshëm të kryer nga kompania.
Apple konfirmoi në faqen e saj zyrtare të statusit të sistemeve se Apple Music, App Store dhe AppleCare kishin pësuar ndërprerje të plota, ndërsa probleme u raportuan edhe në procesin e identifikimit në iCloud. Platforma e monitorimit të shërbimeve teknologjike Downdetector.com regjistroi gjithashtu një rritje të ndjeshme të ankesave të përdoruesve për Apple Pay.
Në një deklaratë të dërguar me email, kompania bëri të ditur se shumë prej sistemeve ishin rikthyer në funksionim pas problemeve të shkaktuara nga përditësimi i brendshëm dhe se po punohej për rikthimin sa më të shpejtë të shërbimeve të mbetura.
Sipas faqes zyrtare të Apple, aktualisht asnjë prej shërbimeve të kompanisë nuk rezulton jashtë funksionit.
Probleme teknologjike u raportuan edhe te Marriott International, operatori më i madh hotelier në Shtetet e Bashkuara. Përdoruesit në Reddit raportuan vështirësi, ndërsa Downdetector konfirmoi sinjalizime për ndërprerje të shërbimeve.
Marriott njoftoi se kishte zgjidhur një problem teknik që kishte penguar hyrjen e përdoruesve në faqen Marriott.com dhe në aplikacionin Marriott Bonvoy. Kompania sqaroi se nga verifikimet e brendshme nuk kishte rezultuar asnjë tregues që problemi të kishte lidhje me sigurinë kibernetike.
Nga aviacioni te bankat, një javë me ndërprerje të mëdha
Incidentet e fundit janë pjesë e një serie defektesh teknologjike që kanë prekur sektorë të rëndësishëm të ekonomisë amerikane.
Të hënën, një ndërprerje e sistemeve të United Airlines zgjati më shumë se 90 minuta, duke detyruar kompaninë ajrore të vononte nisjen e fluturimeve.
Problemi ndodhi vetëm pak ditë pas një defekti në rrjetin e Administratës Federale të Aviacionit (FAA), i cili shkaktoi pezullimin e përkohshëm të nisjeve të fluturimeve në të gjithë SHBA-në. Si pasojë, qindra fluturime u vonuan dhe qindra mijëra udhëtarë mbetën të bllokuar.
United Airlines, me seli në Çikago, deklaroi se nuk kishte asnjë tregues që ndërprerja të ishte e lidhur me një incident të sigurisë kibernetike.
Edhe sektori bankar u përball me probleme të hënën. Mijëra klientë raportuan vështirësi në aksesimin e llogarive të tyre online në disa prej bankave më të mëdha amerikane, si edhe në përdorimin e shërbimit të transfertave të parave Zelle.
Problemet nisën pas një defekti teknik në JPMorgan Chase, i cili shkaktoi pasoja zinxhir në sistemin financiar.
Chase deklaroi se problemet nuk ishin rezultat i një sulmi kibernetik dhe konfirmoi të martën se sistemet e bankës ishin rikthyer në funksionim normal.
Microsoft, ndërprerje globale të shërbimeve
Javën e kaluar, një ndërprerje globale e Microsoft shkaktoi probleme në përdorimin e postës elektronike dhe mjeteve të tjera të punës, duke penguar komunikimin e bizneseve dhe funksionimin e shërbimeve të përditshme në mbarë botën.
Ndër shërbimet e prekura ishin Microsoft 365, Outlook, Teams dhe asistenti i inteligjencës artificiale Copilot.
Gjiganti teknologjik deklaroi se nuk kishte tregues që ndërprerjet të ishin shkaktuar nga veprimtari keqdashëse. Kompania theksoi gjithashtu se incidenti nuk kishte lidhje me një sulm kibernetik apo me agjentë të inteligjencës artificiale.
Seria e incidenteve ka nxjerrë në pah varësinë e madhe të sektorëve ekonomikë nga infrastruktura digjitale. Ndërprerjet, edhe kur nuk lidhen me sulme kibernetike, mund të pengojnë pagesat, transportin, komunikimin dhe funksionimin e përditshëm të bizneseve./ EURONEWS
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









