Banka greke Eurobank ka arritur një marrëveshje për blerjen e aksioneve me Ivailo Dimitrov Mutafchiev dhe Tzeko Todorov Minev, themeluesit e First Investment Bank (Fibank), për të blerë 65% të kapitalit të bankës bullgare, kundrejt rreth 650 milionë eurove. Pas përfundimit të kësaj marrëveshjeje, Eurobank do të paraqesë një ofertë publike për blerjen e pjesës së mbetur të aksioneve.
Pas mbylljes së transaksionit, i cili e vlerëson Fibank në rreth 1 miliard euro për 100% të kapitalit të saj, Eurobank do të nisë një ofertë publike blerjeje (OPA), në përputhje me legjislacionin bullgar. Oferta do t’u drejtohet të gjithë aksionarëve të Fibank, aksionet e të cilëve nuk janë ende nën kontrollin e saj. Kjo përfshin edhe pjesëmarrjen prej afro 18% që zotërohet nga Banka Bullgare për Zhvillim (BDB), e cila ka marrë angazhimin e pakthyeshëm për t’iu bashkuar ofertës së detyrueshme.
Pagesa për transaksionin do të kryhet tërësisht në para të gatshme. Eurobank pret ta financojë blerjen përmes një kombinimi të tepricës së kapitalit dhe një rritjeje kapitali prej rreth 750 milionë eurosh. Kjo e fundit do t’i nënshtrohet miratimit përkatës nga Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme e Aksionarëve, e planifikuar të mbahet më 9 dhjetor, si dhe një vendimi të mëvonshëm të bordit të drejtorëve për kushtet përfundimtare të rritjes së kapitalit.
Banka greke parashikon që blerja fillestare e 65% të Fibank të përfundojë në gjysmën e parë të vitit 2027. Ndërkohë, oferta e detyrueshme për blerjen e aksioneve të mbetura synohet të zhvillohet gjatë tremujorit të dytë dhe të tretë të vitit të ardhshëm.
Objektivi është që integrimi i Fibank me Postbank, bankën bullgare që Eurobank kontrollon që prej vitit 2002, të përfundojë në tremujorin e katërt të vitit 2027.
Eurobank vlerëson se ky transaksion do të mundësojë krijimin e sinergjive të përsëritshme vjetore në kostot operative, me një vlerë prej më shumë se 70 milionë euro pas taksave, të cilat pritet të realizohen plotësisht deri në vitin 2029.
“Me bashkimin e Fibank dhe Postbank, ambicia jonë është të krijojmë institucionin financiar lider në Bullgari”, deklaroi Fokion Karavias, drejtor ekzekutiv i Eurobank.


