Kryeministri Edi Rama ka lëshuar kritika dhe ironi ndaj Partisë Demokratike gjatë fjalës së mbajtur në Kuvend, duke u ndalur te qëndrimet e opozitës për qeverinë dhe raporti i fundit i Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Në nisje të fjalës së tij, kreu i qeverisë iu referua progresraportit të Bashkimit Evropian, duke theksuar se Komisioni Evropian ka rekomanduar nisjen e përgatitjeve për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE gjatë vitit 2027.

Sipas Ramës, një rekomandim i tillë dëshmon përparimin e vendit dhe bie ndesh me panoramën negative që, sipas tij, opozita përpiqet të krijojë për situatën në Shqipëri.

Kryeministri nuk i kurseu as thumbimet ndaj demokratëve lidhur me protestat. Ai deklaroi se organizimi i protestave kundër qeverisë është një veprim i natyrshëm për opozitën, por e cilësoi si një situatë të dhimbshme faktin që, sipas tij, përfaqësuesit e saj nuk pranohen nga vetë protestuesit.

“Dua ta nis me një fakt të cilin, është mirë ta dëgjojnë të gjithë, sidomos, në sfondin e gjithë kësaj zhurme që edhe progres raportin e BE, e ripërtyp në publik, si të ishte në fakt kundër kësaj qeverie. Në raportin e BE, ka një togfjalësh, që i thotë të tëra arsyet, pse ne jemi krenarë dhe do e vazhdojmë punën tonë. KE i rekomandon Këshillit Evropian, që në vitin 2027, të nisë përgatitjet për traktatin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Nuk ka asnjë mundësi dhe asnjë lloj shansi, që ky rekomandim t’i bëhet Këshillit, nëse vendi do ishte ai që përpiqen me këmbë e duar, me britma, ata që në këtë sallë, kërkojnë të diskutojnë për protestën.

Të jesh në qeveri dhe të protestosh kundër qeverisë, është gjëja më e natyrshme, por të jesh në opozitë dhe mos të të pranojnë t’i afrohesh protestës, është gjëja më e dhimbshme. Vlen për të kuptuar çfarë janë këta, që nuk janë as fizikisht dhe as relevant në këtë vend”, u shpreh Rama.