Vendosni fjalën kyçe....

Rama: Të jesh në opozitë dhe të mos të pranojnë të t’i afrohesh protestës, është e dhimbshme



Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm që në nisje të seancës së sotme plenare në Kuvend, por me marrjen e fjalës nga ana e tij, deputetët e opozitës u larguan nga salla.

Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te raporti i progresit të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, të cilin e cilësoi si një vlerësim të rëndësishëm për punën e qeverisë. Ai veçoi rekomandimin e Komisionit Evropian që në vitin 2027 të nisin përgatitjet për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Kryeministri e përdori këtë rekomandim për të kritikuar opozitën, duke komentuar edhe protestat kundër qeverisë. Sipas tij, ndërsa protestat e qytetarëve kundër një qeverie janë të natyrshme, është e pazakontë që opozita të mos jetë e mirëpritur në to.

“Duhet të jetë e dhimbshme që shqiptarët nuk ju pranojnë në protestë. Në raportin e progresit të BE-së ka një togfjalësh që i thotë të gjitha arsyet pse jemi krenarë për punën tonë dhe arsyet pse askush tjetër nuk e bën dot atë që bëjmë ne. KE rekomandon që në vitin 2027 të nisin përgatitjet për Traktatin e Anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Nuk ka asnjë mundësi dhe asnjë lloj shansi që një rekomandim i tillë historik të bëhet nëse vendi do të ishte ai që përpiqen me këmbë e duar, me britma, ata që në këtë sallë kërkojnë edhe që të diskutohet për protestën.

Të jesh në qeveri dhe të protestojnë kundër teje është e natyrshme, por të jesh në opozitë dhe të mos të pranojnë të t’i afrohesh protestës, është e dhimbshme. Fakt që duhet t’ju kuptoni se çfarë janë këta, që nuk janë as fizikisht dhe as politikisht relevantë”, deklaroi Rama.

Më tej, kryeministri tha se nuk kishte ardhur në Kuvend për votat, por për të mbajtur fjalën hyrëse për projektbuxhetin. Ai e cilësoi atë si historik, duke theksuar se për herë të parë buxheti i Shqipërisë arrin vlerën e 10 miliardë eurove.

Në përfundim, Rama iu drejtua sërish deputetëve të opozitës, duke përmendur zgjedhjet vendore të 9 majit dhe duke paralajmëruar se, sipas tij, qytetarët do t’i ndëshkojnë me votë.

“Jua kam thënë, mos i merrni shqiptarët për budallenj, sepse ju japin ujë në bisht të lugës, siç jua kanë dhënë gjithë këtë kohë. Do ta merrni edhe më 9 maj”, u shpreh kryeministri.