Policia belge, ka goditur një rrjet të dyshuar të kultivimit të paligjshëm të kanabisit, gjatë një operacioni të zhvilluar më 9 nëntor në disa zona të vendit.
Sipas mediave belge, kontrollet u ushtruan në pesë banesa në Etterbeek, Evere, Leuven, Overijse dhe Tervuren, në kuadër të një hetimi për një organizatë kriminale të dyshuar për kultivimin e kanabisit.
Të lidhura
None found
Gjatë operacionit, autoritetet zbuluan tre plantacione profesionale, dy prej të cilave ishin në funksion të plotë. Në total u sekuestruan më shumë se 2 mijë bimë kanabisi dhe rreth 55 kilogramë kanabis i korrur.
Gjithashtu, policia gjeti dhe sekuestroi mbi 17 mijë euro para në dorë. Të gjitha plantacionet u çmontuan, ndërsa lënda narkotike u sekuestrua për t’u shkatërruar.
Në pranga përfunduan gjashtë shtetas shqiptarë, të moshave 29 deri në 57-vjeç. Ata u paraqitën para gjyqtarit hetues, i cili vendosi masën e arrestit me burg.
Sipas mediave belge, ky nuk është rasti i parë ku shtetas shqiptarë dyshohen për përfshirje në kultivimin e paligjshëm të kanabisit në Belgjikë.
Në dhjetor të vitit 2025, një gjykatë në Bruksel dënoi me burgim 10 shtetas shqiptarë për kultivim ilegal të kanabisit. Ndërkohë, një hetim i përbashkët i mediave Knack, Le Soir dhe RTBF, i publikuar në qershor 2026, ngriti shqetësimin për zgjerimin e rrjeteve kriminale shqiptare në Belgjikë.
Hetimet për operacionin e fundit vijojnë, ndërsa autoritetet belge po përpiqen të zbardhin përmasat e organizimit dhe aktivitetit të dyshuar kriminal.








