Të gjitha dyshimet janë shuar. Philippe Diallo, kreu i Federatës Franceze të Futbollit, ka konfirmuar, pas miratimit nga Komiteti Ekzekutiv i FFF, se ai është njeriu që UEFA kërkonte për të përfaqësuar Evropën në garën kundër Gianni Infantino për presidencën e FIFA-s.
“Ditët e fundit, kam marrë inkurajim të fortë për të kandiduar nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s dhe Presidenti Čeferin,” shpjegoi Diallo. “Për t’u zgjedhur, duhen 106 vota; unë nisem me një bazë prej 55 votash nga Evropa. Do të punojmë për të siguruar pjesën tjetër. Kam marrë tashmë sinjale mbështetjeje nga kontinente të tjera, të cilat do t’i bëj të ditura në ditët në vijim.”
Ai hyn në garë me mbështetjen unanime të kontinentit të tij, duke synuar të gërryejë mbështetjen që gëzon aktualisht kreu i futbollit botëror. “Bota e futbollit është në tronditje, epoka e sundimit nga një njeri i vetëm duhet të marrë fund,” deklaroi francezi.
“Çështjet madhore nuk mund të vendosen më pas dyerve të mbyllura, pa transparencë, pa konsultime dhe duke anashkaluar Komitetin Ekzekutiv. Vizioni im është ai i një qeverisjeje të hapur dhe kolegjiale“, shtoi Diallo. Megjithatë, detyra e tij nuk do të jetë e lehtë.
Pavarësisht skandaleve që dolën në pah gjatë verës, Infantino ka siguruar së fundmi mbështetjen e federatave të ndryshme kontinentale, përfshirë ato në Azi, botën arabe dhe Karaibe si dhe mbështetjen e shteteve të veçanta, nga Argjentina e deri te Mauritania.
“Kam përpara një fushatë globale,” tha Diallo, plotësisht i vetëdijshëm për terrenin që duhet të rikuperojë, duke u përqendruar kryesisht te Afrika dhe Amerika, në një garë ku është përfshirë shumë vonë. Ai mund të mos jetë kandidati i fuqishëm që UEFA shpresonte, por tani ai është njeriu i tyre në këtë garë.
Megjithatë, gara mund të mos kufizohet vetëm në dy kandidatë. Duket se ka një mundësi reale për një pretendent të tretë, ish-futbollistin zviceran Ramon Vega, i cili konfirmoi se ka siguruar mbështetjen e pesë federatave, çka është një kusht për të shpallur një kandidaturë “të pavarur”.
Një tjetër kandidat i mundshëm është Kozo Tashima, president nderi i Federatës Japoneze të Futbollit dhe anëtar i Këshillit të FIFA-s, por, duke qenë se afati i fundit për dorëzimin e kandidaturave është vetëm pak orë larg, duket se ai nuk ka arritur të mbledhë mbështetjen e nevojshme.







