Një rast me malarie në Shqipëri, ISHP: 12 raste në 5 vite, asnjë transmetim brenda vendit
Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) ka reaguar lidhur me situatën e malaries në Shqipëri, duke bërë të ditur se gjatë pesë viteve të fundit janë regjistruar 12 raste, të gjitha të importuara nga jashtë vendit. Sipas institucionit, nuk ka asnjë evidencë për transmetim të sëmundjes brenda territorit shqiptar dhe malaria nuk përbën një sëmundje me transmetim endemik në vend. Në një njoftim zyrtar, ISHP sqaron se rastet e konstatuara ndër vite kanë qenë sporadike dhe lidhen me ekspozimin ndaj infeksionit në vende ku malaria është e përhapur.
Sa i përket rastit të fundit të raportuar, institucioni bën me dije se pacienti është trajtuar në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ka dalë nga spitali pas përmirësimit të gjendjes dhe aktualisht gëzon shëndet shumë të mirë.
“Rasti i fundit i raportuar është trajtuar në kohë dhe në përputhje me protokollet përkatëse mjekësore, në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive pranë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Pas marrjes së trajtimit dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, pacienti ka dalë nga spitali dhe aktualisht paraqitet në gjendje shumë të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e ISHP-së.
Sipas të dhënave të Sistemit Elektronik të Sëmundjeve Infektive (SISI), gjatë periudhës 2022-2026 janë raportuar gjithsej 12 raste me malarie në Shqipëri.
Shpërndarja sipas viteve paraqitet si më poshtë: 2022: 1 rast; 2023: 5 raste; 2024: 3 raste; 2025: 2 raste; 2026: 1 rast. ISHP thekson se të gjitha rastet janë klasifikuar si të importuara, pasi personat e prekur kanë qenë të ekspozuar ndaj infeksionit jashtë territorit të Shqipërisë.
“Gjatë pesë viteve të fundit nuk është evidentuar asnjë rast i transmetimit autokton të malaries në vendin tonë”, sqaron institucioni.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




