Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe disa prej ish-bashkëpunëtorëve të tij politikë, duke pretenduar se këta të fundit po përdoren nga mazhoranca për të sulmuar opozitën në daljet televizive.

Gjatë deklaratës së tij, Berisha u shpreh se Rama u ka kufizuar daljet publike përfaqësuesve të Partisë Socialiste, ndërsa në emisionet televizive, sipas tij, shfaqen kryesisht ish-figura të Partisë Demokratike që mbrojnë qëndrimet e qeverisë.

“Edi Rama nuk i nxjerr më socialistët në televizion. Ua ka ndaluar, vetëm Blendi Klosi që flet përçart, që mund të flasë një muaj rresht e s’i mban mend kush një fjalë. Asnjë tjetër. Tani edhe kjo Sara Mile u zhduk, që kur e thirrën atje, e zhdukën nga ekranet”, deklaroi Berisha.

Kryedemokrati u ndal veçanërisht te ish-deputeti Dashamir Sula, duke ironizuar marrëdhënien e tij me kryeministrin Rama dhe deklaratat për komunikimet mes tyre.

“Dalin vetëm ish-të mi! Ish-të mi, të cilët janë, t’ju them unë ju këtë, po të paktën Dash Sula ka burrërinë dhe e ha bukën me turp dhe turpin me bukë me rrogë të Edi Ramës. Kurse këta i marrin nën dorë. Këta janë më të ligj se Dashi. Dashi del dhe thotë se flas dhe në 2 të natës, kënaqësia e tij se flet në 2 të natës me Edi Ramën”, u shpreh ai.

Sipas Berishës, disa prej ish-bashkëpunëtorëve të tij janë kthyer në mbrojtës të qeverisë në studiot televizive, duke përqendruar kritikat e tyre ndaj Partisë Demokratike dhe drejtuesve të saj.

“Këtyre Rama ua ka lidhur gjuhën me xhepin, xhepin me gjuhën, dhe dalin vetëm këta në televizione për të mbrojtur Edi Ramën, dhe në vend që të bëjnë thirrje për një koalicion jetik për vendin, këta përpiqen me çdo kusht të vjellin vrer kundër PD-së, kundër Sali Berishës”, shtoi kryedemokrati.

Në vijim, Berisha drejtoi akuza edhe ndaj ish-zyrtarit demokrat Kreshnik Spahiu, duke e akuzuar për përfshirje në praktika korruptive gjatë së kaluarës.

“Në fakt këta ish-ët e mi, si puna e Spahisë për shembull, a e keni dëgjuar atë Spahinë ju, një hajdut me çizme, që i merrte gjykatësit, sipas raporteve, 250 mijë euro për transferim nga Durrësi në Tiranë. Ja ai dhe shkon e raporton nga Gjermania me para të vjedhura”, deklaroi Berisha.

Akuzat e ngritura nga kreu i opozitës ndaj ish-bashkëpunëtorëve të tij mbeten pretendime të tij dhe nuk shoqërohen në këtë deklaratë me prova që i vërtetojnë ato.