
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend, duke e cilësuar Shqipërinë si “narkoshtetin e parë dhe të vetëm” në Europë.
Berisha pretendoi se qeveria ka bashkëpunuar me kartelet e drogës, ndërsa akuzoi se paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal përdoren për të korruptuar zyrtarë të lartë. Ai iu referua edhe një bisede telefonike mes Suel Çelës dhe Çopjes, duke pretenduar se në të flitet për pagesa ndaj ministrave.
Kreu i PD-së u ndal edhe te situata ekonomike, duke lidhur zhvlerësimin e euros dhe dollarit me humbjen e vendeve të punës dhe largimin e shqiptarëve nga vendi. Sipas tij, eksportet kanë rënë me 29% gjatë periudhës 2022-2025, ndërsa kursimet e qytetarëve në valutë janë zhvlerësuar.
Berisha akuzoi gjithashtu Bankën e Shqipërisë dhe Guvernatorin se kanë ndërhyrë në tregun valutor përmes blerjes së 1 miliard eurove, duke pretenduar se kjo ka ndikuar në rritjen e çmimeve në kurriz të qytetarëve.
“Ka vende në të cilat kryeministrat abuzojnë. Ka vende në të cilat kryeministrat mund të jenë të korruptuar. Por ka vetëm një vend në Europë ku kryeministri ndërtoi narkoshtetin e parë dhe të vetëm. E shndërroi Shqipërinë fillimisht në eksportuesin kryesor të kanabisit në Europë. Vendosi bashkëpunimin më të ngushtë të Policisë me kartelet dhe e ktheu në narkopolici. Kartelet u bënë vendimtar për votat e shqiptarëve. Ato bashkë me Ndraghetën u nisën në Amerikën Latine dhe u bënë kontrollues kryesor të kokainës në Europë. Çfarë ndodhi me Shqipërinë? Këtu futen miliarda narkoeuro, me të cilat blihen ministrat, me rroga nga kartelet, përveç borderove të qeverisë. Ja ku është ai. Si i thotë në telefon Suel Çela-Çopjes, ‘ju paguaj rrogë ministrave’.
Por ajo që është dramë e çdo qytetari është shkatërrimi i dhjetëra e mijëra vendeve të punës për shkak të rënies së euros dhe dollarit. Rënia katastrofale e eksporteve nga 2022-2025 me 29 % do të thotë rrënim i dhjetëra e mijëra vendeve të punës dhe largim masiv i shqiptarëve nga Shqipëria. Rënia e euros dhe dollarit ka zhvlerësuar kursimet e shqiptarëve në euro e dollar. Ju jeni qenie shtetërore të drogës. A e dini se çdo të thotë të humbasin 250 miliardë lekë kursime shqiptarët? Të gjitha këto, sepse betoni e droga shkatërrojnë tregun. A e dini ju se banka dhe Guvernatori që i dhanë tani imunitet të përjetshëm, kanë nxjerrë këtë vit qindra thasë lekë të prera për të blerë eurot. Ka blerë 1 miliardë euro dhe ka rritur çmimet në kurriz të shqiptarëve”, tha mes të tjerash Berisha.