Reshjet e fundit të shiut kanë rikthyer problematikat në tunelin e Shkopetit, ku uji rrjedh përgjatë gjithë gjatësisë së tij, duke krijuar vështirësi dhe rrezik për automjetet që qarkullojnë në këtë aks rrugor.

Drejtuesit e mjeteve e konsiderojnë situatën shqetësuese, pasi tuneli nuk është i betonuar dhe, sipas tyre, ekziston rreziku i shkëputjes dhe rënies së gurëve. Ata thonë se sa herë ka reshje shiu, shtohet mundësia e shembjeve brenda tunelit, ndërsa kërkojnë ndërhyrje për betonimin e tij, në mënyrë që të shmangen incidente të mundshme.

Problematikat nuk kufizohen vetëm në tunelin e Shkopetit. Një tjetër shqetësim për drejtuesit e mjeteve që udhëtojnë në aksin Burrel–Skuraj është rënia e gurëve në rrugë, veçanërisht gjatë ditëve me reshje shiu.

Aksi rrugor Burrel–Skuraj vijon të paraqesë problematika të shumta, që nga gjendja e trasesë dhe skarpatave, deri te sinjalistika rrugore. Situata bëhet edhe më shqetësuese gjatë motit të keq, kur rreziku nga rrëshqitjet dhe rënia e gurëve shtohet, duke vështirësuar qarkullimin dhe vënë në rrezik sigurinë e udhëtarëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb