Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese ndaj opozitës gjatë replikës me Sali Berishën në Kuvend.
“Protesta ju ka përdhunuar”, deklaroi Balla, ndërsa shtoi se PD-ja nuk do të ketë forcë të nxjerrë kandidat për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet e 9 majit.
Balla u ndal gjithashtu edhe tek videoja virale nga një ndeshje e Kombëtares në stadium, ku ai shfaqej duke reaguar në momentin kur tifozët thërrisnin: “Rama, jep dorëheqjen”.
“Zotëria ndaj të cilit doja të bëja replikë u largua por anëtarët e grupit të tij do ia transmetojnë. Di ta ndaj shumë mirë të qenurit një tifoz futbolli apo të marr pjesë në mitingjet në mbrojtje të UÇK me rolin tim politik. Nuk i bashkoj ndonjëherë sepse për mua të mbështes Kombëtaren apo mitingjet në mbrojtje të UÇK janë dy gjërat që dua më shumë.
Sa i përket brrylit, kush e ka lexuar ashtu, me përjashtim të tifozëve të Kombëtares, pashë që e kishte lexuar Llapaqorri, Saliu apo edhe ndonjë tjetër në sallë, po ju lexojeni ‘hip këtu e shih Durrësin” sa herë të përdorni stadiumin për mesazhe politike. Politikën silleni në parlament por jo në stadium.
Sali, Edi Rama nuk e jep dorëheqjen. Do të qeveris Shqipërinë deri sa të përmbushim programin tonë 2030 e përtej dhe këtë e caktojmë ne socialistët, kurrë ju. Sa për ju këtu, ua them se aq të lodhur jeni, edhe nga protesta, saqë nuk do të keni fuqi të nxirrni kandidat më 9 maj në Tiranë. E ftoj PD të nxjerrë kandidat politik në zgjedhjet e 9 majit. Protesta ia ka arritur një qëllimi. Juve ju përdhunoi.”, tha Balla.













