Deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka kritikuar mazhorancën gjatë diskutimeve në Kuvend për projektbuxhetin, duke vënë në dukje mungesën e kryeministrit Edi Rama dhe të ministrave në sallë.

Topalli u shpreh se në një seancë ku diskutohet dokumenti më i rëndësishëm financiar i vendit, duhet të ishin të pranishëm të gjithë ministrat, ndërsa ironizoi mungesën e tyre duke thënë se nuk kishte kujt t’i drejtonte pyetje për arsimin, ekonominë, kulturën dhe sportin.

Ajo akuzoi qeverinë se paraqet dështimet si suksese dhe deklaroi se opozita do të votojë kundër buxhetit, të cilin e cilësoi si një dokument që, sipas saj, përmban një nivel të lartë abuzimi. Topalli kritikoi gjithashtu vendimin për përjashtimin e 15 deputetëve nga punimet parlamentare për dy muaj.

“Presupozohet se kur paraqitet buxheti, që është vendimi më i rëndësishëm financiar, këtu duhet të ishin të gjithë ministrat. Këtu iku kryeministri, kanë ikur ministrat, ka ngelur vetëm ai i shkreti. Dhe deputetët që kanë mbetur kanë ulur kokën.

Rama ngatërron Shqipërinë me pasqyrën. Ai shikon veten në pasqyrë dhe thotë se Shqipëria lulëzon. Ky është një problem shumë i rëndë, në fakt, se ju keni një talent të jashtëzakonshëm që çdo dështim ta quani sukses dhe çdo sukses ta merrni sikur është i juaji. Por Shqipëria është e kundërta e asaj që ju paraqitni.

Tani më thoni ju mua, kujt t’i drejtohem unë me pyetje për çështjet e arsimit, karriges që është bosh? Kë të pyes unë për çështjet e ekonomisë, karriges së ministres që është bosh? Kë të pyes unë për kulturën, për sportin, karrigen që është bosh?

Buxheti është i juaji, nuk është i joni. Ne do të votojmë kundër këtij buxheti. Ky buxheti më i madh ka brenda vjedhjen më të madhe që mund të imagjinohet.

Ju keni mbyllur sallën e Parlamentit për 15 deputetë për dy muaj, gjë që nuk ka ndodhur kurrë për 30 vjet. Nëse për buxhetin përgjegjësia është e këtyre, për mënyrën se si drejtohet Parlamenti, përgjegjësinë e keni ju.”, tha ajo

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb