
Real Madridi ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me Arda Güler. Klubi spanjoll ka njoftuar përmes një komunikate zyrtare se mesfushori turk do të jetë pjesë e “Los Blancos” deri më 30 qershor 2032.
“Real Madrid CF dhe Arda Güler kanë rënë dakord për zgjatjen e kontratës së lojtarit tonë, i cili do të qëndrojë i lidhur me klubin deri më 30 qershor 2032”, thuhet në njoftimin e klubit madrilen.
Güler iu bashkua Real Madridit në korrik të vitit 2023, kur ishte vetëm 18 vjeç. Gjatë katër sezoneve me fanellën e skuadrës spanjolle, mesfushori ka regjistruar 126 paraqitje dhe ka fituar pesë trofe.
Në këtë periudhë, ai ka triumfuar një herë në Ligën e Kampionëve, në Kupën e Botës për Klube, në Superkupën e Evropës, në La Liga dhe në Superkupën e Spanjës.
Në nivel ndërkombëtar, 21-vjeçari është pjesë e përfaqësueses së Turqisë, me të cilën ka zhvilluar deri më tani 38 ndeshje. Me këtë rinovim afatgjatë, Real Madridi konfirmon besimin te Güler, i cili shihet si një nga lojtarët e rëndësishëm për të ardhmen e klubit.
