Art, kulturë dhe spektakël. Rubrika “Ciceron”, ju njeh me aktivitetet që mund të ndiqni sot dhe nesër në Tiranë dhe disa qytete të vendit.

1.PERSPEKTIVA E KOMPOZITORIT BRITANIK NGA VITI 1980 NË TIRANË

“Albanian Summer: Perspektiva e një kompozitori britanik nga viti 1980” është aktiviteti që do të mbahet nesër në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në Tiranë. Aktiviteti sjell në Tiranë kompozitorin britanik Dave Smith, një prej figurave pioniere të muzikës eksperimentale britanike të viteve ’70-’80. Përmes një koncerti dhe një leksioni të hapur, publiku do të njihet me krijimtarinë e tij dhe marrëdhënien shumëvjeçare me Shqipërinë. Koncerti do të zhvillohet së bashku me saksofonisten Naomi Sullivan prej orës 11:00-12:30 ndërsa leksioni i hapur nga ora 15:00-16:00.

2. “DEMOS”/ VEPRA E ARISTOFANIT, SHFAQJE NË TEATRIN E KORÇËS

“Demos”, vepra e njohur e Aristofanit vjen në skenën e Teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë, në një interpretim bashkëkohor me regji nga Altin Basha. Komedia satirike do të interpretohet nga trupa e teatrit, nesër, më 19 nëntor, në orën 19:00.

3. FESTIVALI MBARËKOMBËTAR I HUMORIT “TANO FEST” NË SHKODËR

Shkodra vijon të jetë kryeqendra e humorit shqiptar deri më 21 nëntor me Festivalin Mbarëkombëtar të Humorit “Tano Fest”, që po mbahet në skenën e Teatrit “Migjeni”. Festivali i kushtohet ikonës së humorit shqiptar, Tano Banushi, në prag të 100-vjetorit të lindjes së tij. Përgjatë tetë netëve, publiku do të ketë mundësi të ndjekë shfaqje të ndryshme, në një festë të artit skenik, humorit dhe interpretimit.

4. KONCERTI PREMIERË I ORKESTRËS FRYMORE “AFËRDITA” NË ELBASAN

Orkestra Frymore “Afërdita” vjen në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan me koncertin e saj premierë, duke sjellë një mbrëmje kushtuar muzikës dhe instrumenteve frymore. Nën dirigjimin e Antonio Pine, koncerti do të mbahet nesër, më 19 nëntor, në orën 19:00.

5. “1984”/ VEPRA E GEORGE ORWELL, SHFAQJE TE EKSPERIMENTALI

Shfaqja e ndërtuar mbi romanin e njohur të George Orwell, “1984” vijon të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Ajo do të vijë edhe nesëër në orën 20:00. Me regji nga Dino Mustafić dhe dramatizim nga Jeton Neziraj, ajo vjen si bashkëprodhim me Teatrin “Migjeni”. Shfaqja sjell historinë e Uinston Smithit, i cili punon në Ministrinë e së Vërtetës, ku rishkruan historinë sipas interesave të pushtetit. Në një shoqëri të kontrolluar, ai ëndërron lirinë dhe rebelimin, ndërsa lidhja e fshehtë me Xhulian do ta përballë me pasoja të rënda.

6. “MEDIUMS”, SHFAQJA E MILICA VUČKOVIĆ NË TEATRIN E METROPOLIT

“Mediums” është shfaqja bazuar në romanin “Pasojat fatale të dëmtimeve sportive” (Fatal Outcome of Athletic Injuries) të autores Milica Vučković, me regji nga Tara Manić, që do të vijë në teatrin “Metropol” nesër në orën 19:00. Në qendër të veprës është Eva, një nënë e divorcuar që beson te dashuria dhe kërkon një marrëdhënie përmbushëse, por përfshihet në një raport ku sharmi gradualisht shndërrohet në manipulim dhe dhunë. Përmes një interpretimi intim dhe emocional, shfaqja eksploron varësinë emocionale, përgjegjësinë dhe kontradiktat njerëzore, duke ngritur pyetje mbi kufijtë e dashurisë dhe frikën e vetmisë.

7. KOMEDIA “10 VJET MARTESË” NË TEATRIN EKSPERIMENTAL NË TIRANË

Komedia “10 vjet martesë” do të vijojë të shfaqet në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” edhe sonte në orën 20:00. Me autor Alil Vardar, shfaqja vjen nën regjinë dhe interpretimin e Andia Xhungës, së bashku me aktorin Gentian Zenelaj. Përmes situatave komike, vepra trajton marrëdhëniet bashkëshortore dhe sfidat e jetës në çift, duke sjellë në skenë humor dhe situata nga përditshmëria.

8. EDICIONI II I BIENALES NDËRKOMBËTARE TË GRAFIKËS NË TIRANË

Bienalja Ndërkombëtare e Grafikës do të vijë në Galerinë e Artit Tiranë në edicionin e saj të dytë. Ajo do të çelet sonte, më 18 nëntor, në orën 18:00. Përmes veprave të ekspozuara, bienalja synon të dëshmojë rolin e artit si një urë komunikimi mes kulturave, duke kapërcyer kufijtë dhe nxitur dialogun artistik. Ajo do të qëndrojë e hapur deri më 28 nëntor.