Shirat e fundit e kanë rikthyer sërish problemin në tunelin e Shkopetit. Uji rrjedh përgjatë gjithë gjatësisë së tij, duke krijuar vështirësi dhe rrezik për automjetet që lëvizin në këtë segment rrugor.
Drejtuesit e mjeteve e shohin me shqetësim situatën, pasi tuneli nuk është i betonuar. Sipas tyre, ekziston rreziku që gurët të shkëputen dhe të bien. Ata theksojnë se çdo herë që bie shi, rritet mundësia e shembjeve brenda tunelit dhe kërkojnë ndërhyrje për betonimin e tij, në mënyrë që të shmangen incidentet e mundshme.
Të lidhura
None found
Problematikat nuk mbarojnë vetëm te tuneli i Shkopetit. Një tjetër shqetësim për drejtuesit e automjeteve që udhëtojnë në aksin Burrel–Skuraj është rënia e gurëve në rrugë, veçanërisht gjatë ditëve me reshje shiu.
Aksi rrugor Burrel–Skuraj vazhdon të shfaqë problematika të shumta, duke nisur nga gjendja e trasesë dhe e skarpatave e deri te sinjalistika rrugore. Situata bëhet edhe më shqetësuese gjatë motit të keq, kur rreziku i rrëshqitjeve dhe i rënies së gurëve shtohet, duke vështirësuar qarkullimin dhe duke vënë në rrezik sigurinë e udhëtarëve.





