FINARCH – Përtej bankingut tradicional: një model i ri i këshillimit financiar në Shqipëri

INTERVISTË – MANJOLA GJONI, THEMELUESE E FINARCH
Nga këshillimi financiar i personalizuar te krahasimi i produkteve bankare në një platformë të vetme, FINARCH synon të krijojë një standard të ri në marrëdhënien mes klientëve dhe institucioneve financiare.
Në një treg financiar gjithnjë e më kompleks, ku individët dhe bizneset përballen me një gamë të gjerë produktesh bankare, alternativash financimi dhe mundësish investimi, marrja e vendimeve të informuara mbetet një sfidë. Informacioni është i shpërndarë, kushtet ndryshojnë nga një institucion në tjetrin dhe jo gjithmonë klientët kanë akses te ekspertiza e nevojshme për të vlerësuar alternativën që u përshtatet më mirë objektivave të tyre.
Pikërisht nga kjo nevojë lindi FINARCH, një kompani e specializuar në këshillimin dhe ndërmjetësimin financiar, e cila synon të sjellë një qasje ndryshe në tregun shqiptar, duke ndërthurur ekspertizën profesionale me zgjidhjet teknologjike.
Modeli i biznesit të FINARCH mbështetet në dy shtylla kryesore: këshillimin financiar përmes ekspertëve dhe FINMARKET, platformën dixhitale që mundëson krahasimin e produkteve bankare.
Ekspertiza financiare që nis nga nevojat e klientit
FINARCH ofron shërbime për individë, familje, investitorë dhe biznese, duke i asistuar në analizimin e situatës së tyre financiare, identifikimin e alternativave të financimit dhe vlerësimin e mundësive të investimit.
Për bizneset, mbështetja përfshin analizimin e nevojave për financim, identifikimin e instrumenteve dhe institucioneve financiare të përshtatshme, hartimin e planeve të biznesit, përgatitjen e dokumentacionit dhe ndjekjen e procesit të aplikimit deri në disbursimin e financimit.
Për individët dhe familjet, këshillimi fokusohet në zgjedhjen e alternativave të përshtatshme për kredi, kursime, depozita dhe investime, duke marrë në konsideratë profilin financiar, kapacitetin dhe objektivat afatshkurtra apo afatgjata.
FINMARKET – Transparencë dhe krahasim në tregun bankar
Një nga risitë kryesore të modelit FINARCH është FINMARKET, një platformë inovative e krijuar për të sjellë më shumë transparencë dhe aksesueshmëri në tregun bankar shqiptar.
Përmes kalkulatorëve inteligjentë dhe filtrave të personalizuar, përdoruesit mund të eksplorojnë dhe krahasojnë alternativa të ndryshme për kredi, depozita, fonde investimi, llogari bankare, karta, transferta dhe shërbime të tjera financiare.
Një element thelbësor i filozofisë së FINMARKET është transparenca: krahasimi duhet të udhëhiqet nga kriteret dhe nevojat e përdoruesit, jo nga favorizimet tregtare apo renditjet e paguara.
Si lindi ideja për krijimin e FINARCH dhe cilën nevojë të tregut synoni të adresoni?
FINARCH lindi nga një konstatim i bazuar në përvojën time shumëvjeçare në sistemin bankar shqiptar, si në aspektin profesional, ashtu edhe nga këndvështrimi i klientit.
Gjatë viteve kam kuptuar se ekziston një hapësirë e rëndësishme në marrëdhënien mes klientit dhe bankës. Klientët kanë nevojë për më shumë informacion, transparencë dhe orientim përpara se të zgjedhin një produkt bankar, të aplikojnë për financim apo të marrin vendime për investimet e tyre.
FINARCH u krijua për t’iu përgjigjur kësaj nevoje, duke vendosur në qendër interesin e klientit dhe duke ndërthurur ekspertizën njerëzore me teknologjinë.
Çfarë e dallon FINARCH nga shërbimet tradicionale të këshillimit bankar dhe financiar?
Dallimi kryesor qëndron në qasjen tonë. Ne nuk nisim nga një produkt apo institucion financiar i caktuar, por nga nevojat dhe objektivat e klientit.
Përvoja ime prej më shumë se 25 vitesh në sistemin bankar shqiptar, përfshirë pozicionet drejtuese në Private Banking, si dhe eksperienca në drejtimin e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), më kanë dhënë një perspektivë të gjerë mbi nevojat e individëve, bizneseve dhe investitorëve.
Këtë eksperiencë synojmë ta kthejmë në një shërbim konkret, profesional dhe të aksesueshëm.
FINMARKET është një nga komponentët më inovativë të këtij modeli. Çfarë mundëson konkretisht platforma?
FINMARKET është një instrument që synon të ndryshojë mënyrën se si klientët informohen dhe krahasojnë produktet bankare në Shqipëri.
Platforma mundëson krahasimin e produkteve të më shumë se 10 bankave që operojnë në Shqipëri, me një portofol prej mbi 1,000 produktesh bankare.
Nëpërmjet kalkulatorëve inteligjentë dhe filtrave të personalizuar, ata mund të krahasojnë normat e interesit, kostot dhe kushtet përkatëse të produkteve të ndryshme.
Ne besojmë se një klient i mirëinformuar merr vendime më të mira. Prandaj, transparenca është një nga parimet themelore të platformës. Synimi ynë është që përdoruesi të ketë mundësinë të zgjedhë bazuar në kriteret e veta, pa favorizime apo renditje të ndikuara nga komisionet.
Sa i rëndësishëm është segmenti i bizneseve dhe çfarë mbështetjeje ofroni për sipërmarrjen?
Bizneset kanë nevoja financiare që ndryshojnë sipas fazës së zhvillimit, sektorit dhe objektivave të tyre. Për shumë sipërmarrje, gjetja e financimit të përshtatshëm është një proces që kërkon kohë, njohuri teknike dhe përgatitje të kujdesshme.
FINARCH ofron mbështetje në analizimin e nevojave financiare, identifikimin e burimeve të financimit, hartimin e planeve të biznesit, përgatitjen e dokumentacionit dhe ndjekjen e aplikimit deri në disbursim.
Pse diaspora është një nga segmentet ku FINARCH po përqendron vëmendjen?
Diaspora shqiptare përfaqëson një potencial të rëndësishëm ekonomik për Shqipërinë. Shumë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit kanë interes të investojnë, të blejnë pasuri të paluajtshme, të zhvillojnë biznese apo të vendosin kursimet e tyre në tregun shqiptar.
Megjithatë, distanca, mungesa e informacionit të strukturuar dhe kompleksiteti i procedurave mund ta bëjnë këtë proces më të vështirë.
Përmes platformës FINMARKET dhe ekspertëve tanë, synojmë t’u japim mundësinë të informohen, të krahasojnë alternativat dhe të marrin mbështetje profesionale për investimet në Shqipëri.
Së fundmi keni prezantuar edhe FINCLUB. Çfarë përfaqëson ky koncept i ri?
FINCLUB është një zhvillim i rëndësishëm në vizionin tonë për të krijuar një marrëdhënie afatgjatë me klientët.
FINCLUB është konceptuar si një klub ekskluziv anëtarësimi, që ofron këshillim të personalizuar, vlerësim periodik financiar, akses në ekspertë dhe institucione financiare, takime të dedikuara, networking dhe informacion të kuruar mbi zhvillimet e tregut.
Përmes tij duam të krijojmë një komunitet që lidh individët me ekspertizën, institucionet dhe mundësitë e reja financiare dhe të investimit.
Cili është vizioni juaj për FINARCH në vitet e ardhshme?
Ambicia jonë është që FINARCH të bëhet një pikë referimi për këshillimin dhe ekspertizën financiare në Shqipëri.
Teknologjia do të vijojë të jetë një komponent i rëndësishëm i zhvillimit tonë, por besojmë se vlera e vërtetë krijohet nga kombinimi i saj me ekspertizën, përvojën dhe marrëdhënien njerëzore.
Në fund të fundit, FINARCH është ndërtuar mbi një parim të thjeshtë: të kuptosh përpara se të vendosësh. Sepse çdo vendim financiar ka rëndësi dhe meriton të merret me informacionin dhe ekspertizën e duhur.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









