Gjyqtarët dhe këshilltarët ligjorë të Gjykatës së Lartë në Shqipëri morën pjesë në një trajnim të specializuar për hartimin dhe arsyetimin e vendimeve penale, me mbështetjen e ekspertëve holandezë.

Trajnimi u zhvillua pas takimit të ambasadores së Holandës në Tiranë, Marleen Monsted, me kryetarin e Gjykatës së Lartë, Ilir Panda, në kuadër të bashkëpunimit mes dy vendeve në fushën e drejtësisë.

Në aktivitet morën pjesë gjyqtarë të Kolegjit Penal dhe këshilltarë ligjorë, ndërsa trajnimi u drejtua nga Tamara Trotman, gjyqtare e Gjykatës së Lartë të Holandës.

Nisma është pjesë e projektit MATRA për Gjykatën e Lartë, i zbatuar nga SSR, që synon mbështetjen e institucionit shqiptar dhe forcimin e bashkëpunimit gjyqësor mes Shqipërisë dhe Holandës.

Sipas Ambasadës holandeze, projekti synon të kontribuojë në një sistem drejtësie më efikas, më të përgjegjshëm dhe më të besueshëm.