Aktualitet

Jakup Krasniqi kthehet në Kosovë, Haga i lejon të vizitojë bashkëshorten për arsye humanitare

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është kthyer këtë të mërkurë në Prishtinë, pasi Gjykata Speciale në Hagë i lejoi një vizitë për arsye humanitare, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore të bashkëshortes së tij.

Krasniqi ka mbërritur në banesën e tij në lagjen Velania të Prishtinës, ku janë vendosur forca të shumta të EULEX-it dhe Policisë së Kosovës, të cilat kanë rrethuar zonën pranë shtëpisë.

Vizita është autorizuar nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ku Krasniqi po përballet me akuzat për krime lufte.

Krasniqi do të qëndrojë në Kosovë deri në orën 17:00, pas së cilës pritet të kthehet në Hagë. Kjo është hera e dytë që Krasniqi vjen në Kosovë. Herën e parë, ai u kthye në vendlindje pas vdekjes së vëllait të tij.

Dhomat e Specializuara kanë bërë të ditur se kjo është vizita e 15-të e këtij lloji që është lejuar nga gjyqtarët për të paraburgosurit, për arsye humanitare. Vizitat e tilla bazohen në Rregullën 56 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të Dhomave të Specializuara, si dhe në standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale e shpalli fajtor Krasniqin për disa prej tyre dhe e dënoi me 25 vjet burg.

Trupi gjykues e gjeti fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm të 385 personave, trajtim mizor dhe torturë ndaj 49 personave, si dhe vrasjen e paligjshme të 96 personave. Ndërkohë, ai u shpall i pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.