Në filialin e Postës Shqiptare në zonën e Plazhit në Durrës përsëriten çdo ditë radhë dhe pritje të gjata, ku pensionistët përballen me vështirësi për të tërhequr pensionet e tyre. Një pensionist, përmes një videoje që dërgoi për të ngritur shqetësimin, thotë se fondi ditor i parave në sportel përfundon pa mundur të marrin të gjithë atë që u takon. Përgjigjja që marrin nga stafi është se nuk ka më para dhe duhet të kthehen ditën tjetër, duke i detyruar shumë prej tyre të rikthehen sërish në radhë pa asnjë garanci se do të arrijnë të marrin pensionin.
Në radhë nuk janë vetëm ata me datë tërheqjeje atë ditë, por edhe pensionistë me data të mëparshme që nuk kanë mundur të tërheqin paratë në ditën e caktuar. Pritjet zgjaten edhe për shkak të gjendjes shëndetësore të të moshuarve, disa prej të cilëve vuajnë nga sëmundje kronike, por pavarësisht kësaj duhet të qëndrojnë në radhë për të marrë të ardhurat mujore.
Pensionistët shprehin se problemi përsëritet dhe i detyron të humbasin kohë, të përballen me lodhje dhe sforco fizike për të marrë pensionin që u takon. Ata kërkojnë reagim nga filialit i Postës Shqiptare në Durrës për fondin ditor, i cili sipas tyre nuk përballon fluksin e pensionistëve, dhe kërkojnë informacion nëse do të merren masa për të shmangur radhët dhe kthimin ditë pas dite.
Në dëshminë e tyre theksohet se situata shtrihet edhe në lagje të tjera të Durrësit, duke treguar një problem që përsëritet në më shumë pika shërbimi të postës. Pensionistët kërkojnë zgjidhje që të garantojë shpërndarjen e mjetëve në ditën e caktuar dhe të përshtatet me nevojat e shumicës së personave që varen nga këto të ardhura mujore.
