Një kampion bote dhe europe, që largohet nga fusha me një koleksion të jashtëzakonshëm trofesh

Mesfushori spanjoll ka vendosur të tërhiqet nga futbolli i luajtur, duke mbyllur një karrierë të jashtëzakonshme, gjatë së cilës fitoi trofe të rëndësishëm në nivel klubesh dhe kombëtaresh.
Kulmi i suksesit të tij erdhi me përfaqësuesen e Spanjës, me të cilën triumfoi në Kupën e Botës 2010 dhe në Kampionatin Europian 2012.
Në nivel klubesh, ai shkroi historinë me Chelsea-n, ku fitoi Champions League në vitin 2012 dhe Europa League një vit më vonë. Më pas, me fanellën e Manchester United, shtoi në koleksionin e tij edhe FA Cup (2016) dhe Europa League (2017).
Gjatë karrierës së tij, Mata aktivizoi gjithashtu fanellat e Valencias, Galatasaray, Vissel Kobe, Western Sydney Wanderers dhe së fundmi Melbourne Victory në Australi.
Në sezonin e fundit me Melbourne Victory, spanjolli shkëlqeu me 5 gola dhe 13 asistime, duke u shpallur edhe lojtari më i mirë i kampionatit australian.
Në kombëtaren e Spanjës, ai regjistroi 41 ndeshje dhe 10 gola, duke qenë pjesë e një prej brezave më të suksesshëm në historinë e futbollit spanjoll.
Tashmë, në moshën 38-vjeçare, Mata mbyll një karrierë 20-vjeçare, por nuk do të largohet plotësisht nga futbolli, pasi do të vijojë të jetë i përfshirë në projektin drejtues të Melbourne Victory.




